Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti thotë për KosovaPress se Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë duhet të formojë qeverinë e ardhshme. Sipas tij “ky është vullneti i qytetarëve të Kosovës” dhe se është në interes të vendit që të formohet sa më parë qeveria e re.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para – në koalicion me Guxo dhe Alternativa, e pasuar nga PDK-ja, e treta ka dalë LDK-ja, ndërkaq koalicioni AAK-Nisma ka dalë në vendin e katërt sipas rezultateve preliminare.
Sipas këtyre rezultateve, LVV-ja ka fituar 48 deputetë në Kuvendin e Kosovës, gjë e cila ia pamundëson të formojë qeverinë – edhe me komunitetet jo serbe – pa një koalicion me ndonjë prej partive shqiptare.
Mexhiti, i cili është kryetar i Lëvizjes Demokratike në Maqedoni të Veriut – pjesë e koalicionit VLEN, pranon se kanë mbështetur dhe ndihmuar Lëvizjen Vetëvendosje për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Edhe Albin Kurti kishte mbështetur hapur koalicionin VLEN në fushatën zgjedhore të vitit 2024 në Maqedoni të Veriut.
“Uroj që sa më shpejtë të formohet qeveria e re. Është në interes të shtetit të Kosovës dhe për proceset. Është me rëndësi edhe për thellimin e bashkëpunimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Uroj që të kemi një qeveri stabile, e cila do të mund të ballafaqohet me sfidat dhe proceset që e presin. Në këtë drejtim, pra, nuk kam dilemë që Vetëvendosja do t’i prijë këtij procesi drejt formimit të një qeverie stabile, progresive dhe për të mirën e qytetarëve të Kosovës. Kjo është çështje e brendshme e Kosovës. Ne Vetëvendosjen e kemi partner pa marrë parasysh a është në pozitë apo opozitë. Nuk kam asnjë dilemë se fituesi absolut i zgjedhjeve duhet të jetë edhe formuesi absolut i qeverisë së ardhshme të Kosovës. Ky është edhe vullneti i qytetarëve të Kosovës”, thekson Mexhiti.
Mexhiti thotë se bashkëpunimi i ngushtë me Lëvizjen Vetëvendosje është “diçka normale”, gjë e cila sipas tij ka ndodhur edhe në të kaluarën mes partive shqiptare në Maqedoni të Veriut me ato të Kosovës.
“Së pari, ne, edhe sipas Kushtetutës, jemi të përcaktuar si pjesë e popullit shqiptar. Së dyti, shumë nga deputetët tanë janë nga Çairi i Shkupit dhe kanë prejardhje nga Kosova, me familje të shpërndara mes dy vendeve. Kjo është historikisht një lidhje e natyrshme, sepse familjet tona kanë të njëjtin mentalitet dhe botëkuptim. Para se të ekzistonin kufijtë, njerëzit lëviznin lirshëm nga Shkupi në Prishtinë dhe anasjelltas. Historikisht, faktorët politikë shqiptarë kanë bashkëpunuar, që nga koha e Lidhjes Demokratike të Kosovës [LDK] dhe Partisë për Prosperitet Demokratik [PPD]. Këto parti kishin koordinim edhe me partitë shqiptare në ish-Jugosllavi. Po ashtu, ka pasur bashkëpunim edhe të BDI-së me PDK-së, AAK-së dhe faktorëve të tjerë politikë. Pra, ky bashkëpunim nuk është i ri, por një vazhdimësi e natyrshme. Mirë që është kështu, pasi është bashkëpunim vëllazëror dhe brenda shqiptar”, shton Mexhiti.