Mësohet vlera e dëmit të shkaktuar nga sulmi terrorist në Ibër-Lepenc

Rreth 400 mijë euro është dëmi i shkaktuar nga sulmi terrorist më 29 nëntor 2024 në kanalin Ibër-Lepenc, teksa dëmi i synuar ishte rreth 2.5 milionë euro.

Kjo u bë e ditur sot gjatë një vizite që kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli kishin në ndërmarrjen Ibër-Lepenci në Prishtinë.

Ministrja Rizvanolli tha se pas sulmit terrorist, falë angazhimit të institucioneve është arritur që termocentralet të mos ndalin punën.

Derisa u pyet për dëmin e shkaktuar nga ky sulm terrorist, ministrja Rizvanolli tha se “kjo është çështje teknike”.  Ndërkaq, kryeshefi i ndërmarrjes Ibër-Lepenci, Faruk Mujka theksoi se në takim me kryeministrin Kurti kanë diskutuar për sulmin terrorist në Varagë të Zubin Potokut.

Paraprakisht, ministrja Rizvanolli dhe kryeministri Kurti vizituan ndërmarrjen KRU Prishtina.  


Në mbrëmjen e 29 nëntorit në Varage ndodhi një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit, pak orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se i ka rritur masat e sigurisë në nivel vendi.

Pas sulmit, autoritetet e Kosovës thanë se për shkatërrimin e kanalit ishin përdorur 15 kilogramë eksploziv.

“Është mund të themi lirisht akti më i madh ndaj infrastrukturës kritike që nga përfundimi i luftës në Kosovë”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Kryeministri Kurti tha se sulmi ishte terrorist dhe i organizuar nga bandat kriminale e me mbështetje të Beogradit zyrtar.

Prej Ibër-Lepencit furnizohen Zubin Potoku, Mitrovica e Jugut, ajo e veriut, Vushtrria, Drenasi, një pjesë e Prishtinës dhe e gjithë Fushë Kosova si dhe Korporata Energjetike e Kosovës. Ndërkohë, Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike.

Sulmin e kanë dënuar Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të QUINT-it.

Lexo edhe

Video