Platforma sociale TikTok duket se ende nuk është mbyllur plotësisht në Shqipëri. 13 marsi si afati i fundit i vendosur nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, i cili detyronte që kompanitë e internetit të merrnin masat e nevojshme për bllokimin e plotë të aksesit në TikTok, do të shtyhet.
Kjo platformë ende vijon të jetë e hapur në Shqipëri, por me vështirësi në përdorim, si dhe me shenjën e bllokimit në proces, shkruan TVSh. Autoriteti për Sigurinë Kibernetike ka nisur fazën fillestare dhe i gjithë procesi do të kërkojë deri në 10 ditë, pasi duhen më shumë veprime për kryerjen e procedurave përkatëse me kompanitë për heqjen e platformës nga celularët.
Ideja e parë për mbylljen e tiktok erdhi nga kryeministri Edi Rama pas humbjes së jetës së një 14-vjeçari me thikë nga bashkëmoshatari i tij, pas një sherri të nisur në rrjetet sociale.
Fill pas kësaj ngjarjeje qeveria nisi konsultimet me 65 mijë prindër dhe mësues dhe vendosi mbylljen e platformës si masë për sigurinë e fëmijëve.
Për ta rihapur sërish TikTok-un do të duhet që kompania të garantojë filtra për të mbrojtur të rinjtë nga videot agresive.