“Mbrojtësit” e Abdixhikut me reagime të forta ndaj Hotit

“Mbrojtësit” e Abdixhikut me reagime të forta ndaj Hotit

Lidhja Demokratike e Kosovës ka nevojë për lidership të ri, tha të martën anëtari i kryesisë së kësaj partie, Avdullah Hoti.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës e cila udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku, ka dalë e treta me 18.27%.

Hoti shkroi se rezultati zgjedhor i LDK-së nuk është i përafërt me atë që sipas tij e kanë pritur pas katër vjet përgatitje, transmeton KosovaPress.

Sipas Hotit, lidershipi i ri është e vetmja rrugë për rikthimin e besimit në LDK.

Hotit menjëherë i ka reaguar nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili ka thënë se LDK nuk i takon funksionarëve por anëtarësisë, raporton KosovaPress.


https://kosovapress.com/ldk-doli-e-treta-ne-zgjedhje-hoti-kerkon-lidership-te-ri

“Në një ditë si kjo, duhet ritheksuar se LDK nuk i takon funksionarëve, por anëtarësisë saj. Anëtarësia e saj ka vendosur me 19 nëntor 2023 për një mandat të ri të lidershipit. Kryetari i LDK-së, Abdixhiku, erdhi nga një Kuvend i jashtëzakonshëm, si pasojë e rezultatit më të rëndë historik. Ky ishte Kuvend i përballimit të situatës së jashtëzakonshme, me frymë unifikuese e me rrugëtim të përbashkët. Ndonëse ishte një fushatë e jashtëzakonshme e një mobilizim i madh, rezultati nuk ishte ai që e deshëm. Por, duhet ta ritheksojmë një të vërtet të madhe se betejat e fituara nuk ta garantojnë luftën politike, e aq më pak betejat e humbura të atyre që sillen sikur LDK-së i ka ra morti”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërkohë, edhe nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili u ka thënë mediave se Abdixhiku ka mbështetje të plotë të strukturave të partisë.

“Si nënkryetare e LDK, deklaroj se kjo është kërkesë qesharake, e pakuptimtë dhe jokoherente. Strukturat e LDK-së i kanë dhënë dhe i japin mbështetje të plotë kryetarit aktual të partisë, i cili partinë e mori me rënien më të madhe historike në 12%, dhe e ktheu në trendin më të madh historik të ngritjes (me 70% rritje)”, tha ajo.

Kundër Hotit ka dal edhe nënkryetari, Gazmend Muhaxheri i cili e sheh të përmbysur si logjikë kërkesën e Hotit.

“Është dashtë me punu ma shumë për me dalë rezultati më i mirë. Qysh kur rritët 70% me kërku me u shkarku. Kërkohet me u shkarku dikush kur e zvogëlon partinë jo kur e rritë, nuk e di këso logjike ku e kanë pa”, i tha Muhaxheri Televizionit RTV21.

Lexo edhe

Video