Ish-shefi ekzekutiv i markës së modës Abercrombie & Fitch (A&F), Mike Jeffries, është akuzuar për trafikim seksual dhe përballet me disa padi civile për përdhunim, sulm seksual dhe drogim të më shumë se 40 burrave, raporton BBC News.
Jeffries, 80-vjeç, është në arrest shtëpie pas padive që pretendojnë se ai dhe partneri i tij, Matthew Smith, drejtuan një operacion ndërkombëtar trafikimi seksual nën maskën e mundësive për modelim, transmeton KosovaPress.
A&F po paditet gjithashtu për neglizhencë, me pretendime se lejoi “krime të tmerrshme seksuale” gjatë kohës kur Jeffries ishte kryeshef ekzekutiv (1992-2014). Disa viktima ishin punonjës të kompanisë.
Prokurorët amerikanë kanë identifikuar 15 viktima në çështjen penale, por ky numër mund të rritet.
Jeffries dhe bashkëpunëtorët e tij kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm. A&F ka thënë se nuk kishte dijeni për këto abuzime dhe se kompania është transformuar nën udhëheqjen e re.