Marta Kos: Nuk duhet toleruar dhuna ndaj protestuesve serbë

Marta Kos: Nuk duhet toleruar dhuna ndaj protestuesve serbë

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, është shprehur mbi zhvillimet e fundit në Serbi pas protestave të cilat kanë hyrë në muajin e tretë.

Ajo në një letër të publikuar në rrjetin X, theksoi sot se agjenda evropiane e Serbisë ofron zgjidhje për shumë nga çështjet e pazgjidhura, duke përmendur rëndësinë e krijimit të kushteve për dialog për të ardhmen evropiane të këtij vendi.

“Mesazhi im kryesor: Agjenda evropiane e Serbisë ofron zgjidhje për shumë nga çështjet që janë në qendër të diskutimeve sot. Është e rëndësishme që të krijohen kushtet për një dialog gjithëpërfshirës që përfshin të gjithë aktorët, akterët politikë, institucionet dhe anëtarët e shoqërisë civile për të adresuar reformat që janë të nevojshme për të ardhmen evropiane të Serbisë. Kjo është një përgjegjësi e përbashkët e të gjitha palëve të përfshira,” tha komisionarja.

Marta Kos theksoi se dhuna ndaj protestuesve nuk do të tolerohet dhe se Brukseli pret që Beogradi zyrtar të kryejë një hetim të plotë, të paanshëm dhe të shpejtë për incidentet kundër demonstruesve.

Ajo gjithashtu i bëri thirrje policisë serbe të vazhdojë të garantojë sigurinë e protestuesve.

Letra e plotë e Marta Kos:

Kohët e fundit kam marrë disa letra nga komuniteti akademik, përfaqësues politikë dhe organizata të shoqërisë civile që shprehin shqetësimin për situatën aktuale në Serbi. Po i ndjek me vëmendje protestat në Serbi. Unë dua t’i përgjigjem shqetësimeve të shprehura dhe t’ju kujtoj se çfarë përfaqëson Bashkimi Evropian.


Vlerat themelore janë në thelb të projektit tonë të përbashkët evropian dhe duhet të respektohen. Liria e tubimit është një e drejtë themelore që duhet respektuar. Ajo duhet të kryhet në mënyrë paqësore dhe në përputhje me ligjin. Kemi qenë dëshmitarë të incidenteve kundër protestuesve.

Ne presim një hetim të plotë, të paanshëm dhe të shpejtë. Dhuna nuk mund të tolerohet. Presim që policia serbe të vazhdojë të sigurojë sigurinë e demonstruesve. Gjuha që nxit dhunën dhe mungesën e respektit të ndërsjellë nuk mund të jetë zgjidhja.

Prioriteti i BE-së dhe presidentes von der Leyen mbetet të mbështesin Serbinë në avancimin në rrugën e saj evropiane dhe synimin për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Rruga drejt anëtarësimit në BE përfshin reforma që ngulitin vlerat tona të përbashkëta në legjislacion dhe praktikë. Rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian ofron zgjidhje për shumë çështje që sot janë në qendër të diskutimit.

Reformat që janë pjesë e procesit të anëtarësimit në BE do të forcojnë luftën kundër korrupsionit, do të sigurojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe llogaridhënien e institucioneve, do të promovojnë lirinë e medias dhe pluralizmin e medias dhe do të përmirësojnë kushtet zgjedhore. Nëse zbatohen siç duhet, këto reforma do të kenë një efekt transformues që do të përfitojnë të gjithë qytetarët dhe do ta afrojnë Serbinë me Bashkimin Evropian.

Procesi i anëtarësimit në BE kërkon përpjekje intensive nga e gjithë shoqëria. Ai duhet të jetë një projekt kombëtar në pronësi të të gjithëve: qeverisë, parlamentit, opozitës, shoqërisë civile, çdo qarku, qyteti e fshati dhe në fund të fundit çdo qytetari të vendit.

Është e rëndësishme të krijohen kushte për një dialog gjithëpërfshirës që përfshin të gjithë aktorët, aktorët politikë, institucionet dhe anëtarët e shoqërisë civile të cilët do të adresojnë reformat që janë të nevojshme për të ardhmen evropiane të Serbisë.

Kjo do të forcojë shoqërinë serbe dhe do të konsolidojë rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE.

Lexo edhe

Video