Marco Rubio: Ukraina nuk pritet të kthehet në gjendjen para 2014

Marco Rubio: Ukraina nuk pritet të kthehet në gjendjen para 2014

Sekretari i Shtetit Marco Rubio deklaroi se konflikti i zgjatur në Ukrainë duhet të përfundojë me negociata në të cilat të dyja palët duhet të dakordohen për lëshime.

Në një intervistë me gazetaren Megan Kelly, Rubio theksoi se pozicioni i presidentit Donald Trump është se lufta duhet të përfundojë përmes rrugës diplomatike.

“Pozicioni i presidentit është ky: ky është një konflikt i stërzgjatur dhe duhet të përfundojë. Tani ne duhet të hyjmë në çdo negociatë. Në çdo negociatë, të dyja palët do të heqin dorë nga diçka. Nuk do të jetë një proces i lehtë, por realisht, ai është mënyra e vetme për të arritur paqen e qëndrueshme”, tha Rubio.


Sipas tij, situata aktuale nuk është e qëndrueshme për Ukrainën dhe Rusinë, teksa e bëri të qartë se ekipi i Trump e konsideron agresionin rus të papranueshëm.

“Putin pushtoi vendin, kreu krime, bëri gjëra të tmerrshme. Por nuk është realiste të pritet që Ukraina do të ketë sukses jo vetëm të mposhtë Rusinë, por edhe ta kthejë situatën në situatën para vitit 2014, përpara se Rusia të merrte Krimenë”, tha Rubio.

Javën e kaluar, përmes video-konferencës në Forumin Ekonomik të Davosit, presidenti Trump shprehu dëshirën për t’u takuar me homologun rus Vladimir Putin, për të gjetur një zgjidhje për konfliktin, por paralajmëroi gjithashtu Rusinë se do të përballej me taksa, tarifa dhe sanksione shtesë nëse nuk do të ishte e gatshme të negocionte.

Lexo edhe

Video