Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar të mërkurën nismën për lidhjen e marrëveshjes kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se kjo marrëveshje ka për qëllim që të dyja palët të angazhohen në avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.
“Qëllimi i kësaj marrëveshje është që të dyja palët të angazhohemi në avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, si planifikim i mbrojtjes, qëndrueshmëri strategjike dhe ngritje të kapaciteteve strategjike ushtarake. Një hap i tillë i bashkëpunimit është ndërmarrë në përputhje me qëllimet e integrimit më të gjerë euroatlantik, cenimit për sigurinë, rritjen e ndërveprueshmërisë gjithmonë duke u mbështetur në partneritetin e fortë ekzistues në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, deklaroi ai.
Maqedonci tha se marrëveshja adreson çështjen e kapaciteteve ajrore, ndërtimit të flotës së helikopterëve.
“Ky është një kapacitet që është planifikuar të ngritet në Forcën e Sigurisë së Kosovës”, tha ai.
“Gjithashtu për këtë çështje kemi pasur takime të rëndësishme gjatë vizitës që kemi pasur me komandantin e FSK-së në Uashington. Kemi qenë në fabrikën ku prodhohen helikopterët Black Hawk, ku kemi diskutuar edhe çështjet e detajuara rreth këtyre helikopterëve dhe mundësive procedurale për blerjen e tyre. Ne kemi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për blerjen e këtyre helikopterëve sikurse kemi mbështetjen për blerjen edhe shumë sistemeve që do t’i kemi në FSK, në kuadër të fazës së tretë të tranzicionit”, shtoi ai.
Qeveria i dha dritën e gjelbër edhe marrëveshjes së përgjithshme të sigurisë me Slloveninë, për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se kjo marrëveshje është hap i rëndësishëm.
“Arritja e marrëveshjes për sigurinë në fushën e mbrojtjes së informacionit të klasifikuar mes Kosovës dhe Sllovenisë është hap i rëndësishëm me ndikim në disa aspekte. Forcimi, bashkëpunimi dypalësh, sigurimi i informacioneve të klasifikuara, përmirësimi i kapaciteteve institucionale dhe mbështetja për integrim euroatlantik”, tha Kurti.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë janë miratuar tri marrëveshje mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se marrëveshja e parë është për transferimin e personave të dënuar.
Marrëveshja e dytë e miratuar është nisma për marrëveshjen për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështje penale mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ndërkaq, marrëveshja e tretë është për ekstradim, për çka Haxhiu tha se bazohet në zotimin e Kosovës për të zhvilluar partneritet evropian.
Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, ndër tjera, u miratua edhe nisma për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare të partneritetit për menaxhimin e grant-kontratës të asistencës teknike, në kuadër të programit për bashkëpunim ndërkufitar Kosovë-Shqipëri.
Nismë për lidhje të marrëveshjes ndërkombëtare të partneritetit për menaxhimin e grant-kontratës të asistencës teknike, kabineti qeveritar miratoi edhe me Malin e Zi.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim