Sot në Paris u mbajt një samit në mbështetje të Ukrainës dhe tema kryesore ishin garancitë e sigurisë në rast të armëpushimit mes Kievit dhe Moskës.
Në takimin e “koalicionit të vullnetit” morën pjesë përfaqësues të rangut të lartë nga 31 vende, njoftoi zyra e presidentit francez.
Në takimin e sotëm, “u ra dakord unanimisht” se “tani nuk është koha për të hequr sanksionet në asnjë mënyrë”, tha presidenti Emmanuel Macron.
“Nuk mund të ketë heqje të sanksioneve përpara se të vendoset paqja”, shtoi ai.
Ai tha se ishte marrë një vendim për të udhëzuar ministrat e jashtëm të koalicionit për të hartuar propozime se si mund të monitorohej armëpushimi. Ata kanë tri javë kohë për të paraqitur propozimet e tyre.
Për më tepër, Macron njoftoi se Britania dhe Franca do të dërgojnë një delegacion në Ukrainë për të punuar me forcat e armatosura të Ukrainës dhe për t’i ndihmuar ato të planifikojnë hapat e ardhshëm.
Pasi foli me kryeministrin britanik Keir Starmer, ai tha se të dy do të “udhëzojnë udhëheqësit ushtarakë që të sigurojnë që një ekip franko-britanik të dërgohet në Ukrainë në ditët e ardhshme për të punuar shumë ngushtë me partnerët tanë ukrainas”.
Macron foli më pas për atë që kjo do t’i mundësonte koalicionit të bënte në të ardhmen.
Koalicioni do të shqyrtojë “çfarë formati nevojitet për sa i përket numrit të trupave dhe cilat pajisje dhe teknika nevojiten për t’iu përgjigjur agresionit të ardhshëm rus dhe për të penguar çdo veprim agresiv rus”.
“Kjo do të na lejojë të kalojmë në fazën e planifikimit për të qartësuar kontributin e secilit vend anëtar të koalicionit tonë dhe për t’i dhënë Ukrainës një pamje të qartë të planit shumë të saktë të veprimit që duam të zbatojmë,” tha Macron, transmeton KosovaPress.
Presidenca franceze njoftoi se presidenti Macron ka biseduar me presidentin e SHBA-së Donald Trump përpara samitit të sotëm në Paris.
Shtetet e Bashkuara mungojnë dukshëm në “koalicionin e të vullnetit” – i cili mblidhet sot për të diskutuar planet për një armëpushim të mundshëm. Nuk ka asnjë informacion për përmbajtjen e thirrjes, por Macron foli për nevojën për të forcuar mbështetjen për Ukrainën, raporton Sky News.