Berat Lahu ka njoftuar aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe qytetarët e Prishtinës se pas një rrugëtimi të gjatë prej 15 viteve, nuk do të jetë më pjesë e kësaj partë.
Ai ka shkruar në Facebook se angazhimi i tij në LVV, në vitin 2010, ka ardhur pas një ftese të pranuar nga Albin Kurti.
“Prej asaj dite jam angazhuar me tërë qenien time që qëllimet e Lëvizjes të realizohen. Duke qenë Kryetar i Qendrës së Prishtinës, në vitin 2013 me angazhimin e jashtëzakonshëm të qindra aktivistëve, kemi arritur të pamundshmen, që të fitojmë garën për Kryetar të Prishtinës. Prej 2010 e deri në vitin 2022 kam qenë pjesë e të gjitha strukturave të Lëvizjes. Në 2022 kam njoftuar që për shkak të mos mbajtjes së përgjegjësisë nga Arben Vitia për humbjen e madhe që Lëvizja ka pësuar në Prishtinë dhe rikandidimit të tij për Kryetar të Qendrës, kam refuzuar të jam pjesë e strukturave për sa kohë që ai është në udhëheqje të qendrës. Për zhgënjimin tim, keqmenaxhimi i Qendrës pas zgjedhjeve të brendshme të 2022 u shndërrua në keqpërdorim. Rasti më eklatant i këtij keqpërdorimi ishte kur Gëzim Sveçla, duke keqpërdorur autoritetin e Kryesisë qendrore, përkundër kundërshtimit tim, mundësoi kuorumin për kalimin e njërit prej vendimeve më të dëmshme që ka marrë Kuvendi Komunal i Prishtinës ndonjëherë, vendimin për këmbimin e pronave në Badoc. Shto kësaj edhe takimin e Gëzim Sveçlës me pronarin e tokës në Badoc, Rrahman Haradini, para votimit në Asamble dhe marrëveshjet qe ai ka bërë me të. Për këto veprime të GZ, ne një letër ku kam sqaruar komplet ngjarjen e ndodhur ne mbledhjen e 9 Dhjetorit, kam kërkuar nga Kryetari i LVV Albin Kurti që të marr masën e përjashtimit ndaj tij, në të kundërt unë nuk do të mund të qëndroj në Lëvizje. Më 10 mars, Lëvizja VETËVENDOSJE! qenka përcaktuar që të mbështes GZ përkundër veprimeve të tij korruptive dhe të më përjashtoj mua. Kjo shumë më tepër tregon për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, se sa për mua. Arsyeja e paraqitur për përjashtimin tim është qëndrimi im që mos t’i ikim debatit për asnjë çështje në Kuvendin komunal e sidomos për PZHK si dokumentin kryesor të Komunës. Por problematika e vërtetë qëndron tek qëndrimi im publik kundër veprimeve korruptive për këmbimin e pronave në Badoc”, ka shkruar ai.
Unë do të vazhdoj të jem pjesë e Kuvendit komunal të Prishtinës duke vazhduar t’iu qëndroj besnik zotimeve të mia të dhëna në fushatën e 2021 dhe parimeve që më përcjellin prej se kam hyrë në politikë ne vitin 2010.
/KosovaPress/