LVV me akuza: PZAP ndërron afatet që t’i ikë vendimit për rivotimin me postë

LVV me akuza: PZAP ndërron afatet që t’i ikë vendimit për rivotimin me postë

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për ankesa dhe parashtresa pas refuzimit të ankesës.

Vetëvendosje përmes një komunikate për media ka akuzuar PZAP-në për shmangie nga përgjegjësia për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor.

“Administrimi i numërimit të fletëvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve ka shpalosur skemë manipulimi të votimit përmes postës nga subjekti LDK. Vëzhguesit tanë gjatë numërimit të votave të dërguara me postë kanë grumbulluar fakte e prova me dëshmi për shkeljet e manipulimin e fletëvotimeve për llogari të LDK-së”, thuhet në komunikatë.

Tutje LVV thotë se në përputhje me Ligjin për Zgjedhje dhe rregullat e KQZ-së ka parashtruar ankesë në PZAP brenda afatit ligjor, me kërkesën për anulimin e fletëvotimeve të dërguara përmes postës dhe të urdhërojë KQZ-në që të organizojë procesin e rivotimit përmes postës.


“Njoftimi i sotëm nga ana e PZAP-së se ankesa jonë për anulimin e fletëvotimeve të dërguara me postë dhe rivotimin përmes postës është e paafatshme, është pozicion arbitrar dhe i pashpjegueshëm i PZAP. Vendimi në fjalë nuk respekton njoftimin zyrtar të KQZ për momentin e përfundimit të të gjitha numërimeve në QNR dhe kështu bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, rregullat e KQZ-së, si dhe me praktikat e deritanishme të parashtrimit e shqyrtimit të ankesave për cënim të procesit zgjedhor” thuhet në komunikatë.

tutje sipas LVV-së justifikimi i PZAP-së se kinse ankesa është e pasafatshme, është qartazi tendencë për t’i ikur përgjegjësisë institucionale e ligjore për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor.

“Shkeljet e shumta e manipulimi flagrant i procesit të votimit përmes postës nga ana e LDK-së nuk mund të anashkalohet. Vota dhe vullneti i lirë i votuesve duhet dhe do të mbrohet. Integriteti i procesit zgjedhor duhet të garantohet përmes anulimit të fletëvotimeve të dërguara përmes postës dhe organizimit të procesit të rivotimit. Ndërsa, të gjithë ata që kanë ideuar, organizuar e zbatuar këtë krim zgjedhor duhet të nxirren para drejtësisë”, thuhet tutje.

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se do të ushtrojë ankesë në afatin e paracaktuar pas shpalljes së rezultateve.

PZAP ka refuzuar ankesën e LVV-së për anulimin e votimit me postë dhe ka vendosur të rinumërohen 1631 fletëvotime.

Lexo edhe:
https://kosovapress.com/pzap-vendos-do-te-rinumerohen-1631-fletevotime/

Lexo edhe

Video