Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, po vazhdon të insistojë se Kosova ka institucionet e veta për të hartuar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Duke iu kundërpërgjigjur kërkesës së vazhdueshme të BE-së që Kosova të procedojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit të hartuar nga BE-ja, në LVV akuzojnë Serbinë se s’po zbaton marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit. Në anën tjetër, dy partitë opozitare, LDK dhe AAK akuzuan qeverinë e Kosovës se i ka sjellë vendit marrëveshje të keqe që shkelin rendin kushtetues të Kosovës.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se institucionet e Kosovës janë të afta dhe kanë kompetenca për të hartuar draft-statutin e Asociacionit dhe dërgimin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Mirëpo kritika adresoi shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, i cili tha përmes marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, qeveria Kurti ka shkel rendin kushtetues të Kosovës.
Ai vuri në mëdyshje edhe pranimin ose jo të Qeverisë së Kosovës të draft-statutit të Asociacionit.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, akuzoi qeverinë se ia ka lënë në ‘derë’ qeverisë së ardhshme marrëveshjen e Brukselit dhe draft-statutin e Asociacionit, të cilat i quajti të dëmshme për vendin.
Bashkimi Evropian së fundmi i ka kërkuar institucioneve në Kosovë që të procedojnë në Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit, të hartuar nga vet ata.
Mirëpo, një gjë e tillë po konsiderohet e papranueshme nga kryeministri Albin Kurti, i cili javën e kaluar tha se kryeministri nuk themelon Asociacione të komunave./KosovaPress/
https://kosovapress.com/kurti-kryeministri-nuk-themelon-asociacione