Lëvizja Vetëvendosje po konsiderohet fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, por me fuqi të dobësuar në relacion me zgjedhjet e kaluara si dhe pretendimet e tyre për 500 mijë vota.
Njohësit politikë, pavarësisht fitores së LVV-së nuk e mohojnë mundësinë që edhe PDK, LDK dhe AAK së bashku me komunitetet jo shumicë të formojnë qeverinë e ardhshme. Megjithatë, theksojnë se si partia e Albin Kurtit ashtu edhe partitë të tjera nëse s’bëjnë koalicione të mëdha do të kenë një qeveri me shumicë minimale parlamentare dhe të brishtë.
Në bazë të dhënave preliminare dhe numërimit të 96.88 për qind të votave nga ana e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit me 41.10 për qind të votave, pasuar nga PDK me 22.25 për qind, LDK me 17.77, AAK 7.46 për qind dhe Lista Serbe 4.01 për qind.
Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë për KosovaPress se rezultati i deritanishëm i zgjedhjeve, pa votat e diasporës dhe nëse s’ka koalicione mes LVV-së dhe ndonjë prej partive opozitare s’do të ketë qeveri stabile.
Në anën tjetër, analisti politik Seb Bytyçi thotë për KosovaPress se nëse numri i deputetëve të LVV-së mbetet në dyzetat atëherë do të ketë të vështirë të formojë qeverinë pa një koalicion, i cili sipas tij mund të jetë me koalicionin AAK-NISMA.
Në të kundërtën ai deklaron se mund të ketë edhe një qeveri të formuar nga partitë opozitare pasi i kanë numrat e mjaftueshëm në Kuvend.
Krahas kësaj, ai për KosovaPress komenton edhe humbjen e votave nga LVV-ja në krahasim me zgjedhjet 2021 dhe ngritjen e votave nga partitë opozitare, veçmas PDK-ja.
Në bazë të deklaratave të kaluara Lëvizja Vetëvendosje ka përjashtuar çdo mundësi të koalicioneve me PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe Listën Serbe.
Po ashtu edhe në PDK, LDK dhe AAK janë shprehur kategorikë kundër koalicionit me VV-në, derisa në PDK dhe AAK janë shprehur të hapura për të bashkëpunuar për të formuar qeverinë e ardhshme. Ndërkaq, në LDK kanë thënë se kjo parti vendos të hyjë në qeveri vetëm me Lumir Abdixhiku kryeministër.
Artikulli i plotë në sistemin me parapagim.