LVV ankohen në PZAP, kërkon anulimin e 18 mijë votave për LDK-në, si dhe rivotim me postë

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar të hënën ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ku kërkon anulimin e votave me postë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, përsëritje të votimit me postë, si dhe largim nga lista të kandidatëve të LDK-së, të cilët sipas tyre, kanë marrë votë pakrahasimisht më shumë me postë sesa në votimin në Kosovë.

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, tha se manipulimi i orkestruar i LDK-së ka ndodhur që në regjistrimin e votuesve me postë nga diaspora, raporton KosovaPress .

Sipas tij, vjedhja e vullnetit qytetarë ka emër dhe ajo është LDK.


Krahas kësaj, sekretari i LVV-së, Alim Rama, tha se për këto manipulime të procesit zgjedhor nga LDK-ja, kanë paraqitur rastin në prokurori, mirëpo, ende nuk kanë ndonjë informacion se të njëjtit kanë marrë ndonjë veprim.

KQZ-ja ka shpallur rezultatet përfundimtare javën e kaluar, LVV-ja ka dalë e para me 42.30 për qind, PDK, 20.95 për qind, LDK 18.27, AAK-Nisma 7.06.

Në votimin me postë, LVV ka marrë 32706 vota ose 51.89 %, LDK 19037 vota ose 30.21 %, PDK 5992 vota ose 9.51 % dhe AAK, Nisma, Konservatorët, Intelektualët kanë marrë 2027 vota ose 3.22 %, raporton KosovaPress.

LVV thekson se kandidatët që kanë marrë votë pakrahasimisht më shumë me postë sesa në votimin në Kosovë, janë Hysen Çekaj, Gazmend Muhaxheri, Bahrije Hyseni, Alban Zogaj, Jeta Rafuna Hasani, Fatmir Asllani, Qerim Softolli dhe Berat Rukiqi.

Lexo edhe

Video