Totteham Hotspur dhe Liverpool zhvilluan sot ndeshjen e xhiros së 17-të të Premier ligës angleze në futboll.
Ndeshja në stadiumin Tottenham Hotspur në Londër kaloi me dominimin e Salah me shokë.
Skuadra e Liverpool shënoi gol në pjesën e parë përmes Luis Diaz, pas asistimit të Trent Alexander-Arnold në minutën e 23-të. Vendësit ende nuk morën veten pas shokut të pësuar dhe mysafirët arritën te goli i dytë përmes Alexis MacAllister në minutën e 36-të.
Pesë minuta më vonë Tottenham u rikthye me golin e James Maddison, por kjo ishte e tëra që futbollistët vendës arritën përballë kundërshtarit në këtë ndeshje. Në minutën e parë të kohës shtesë Dominik Szoboszlai mori një top të saktë nga Mohamed Salah, të cilin nuk e humbi para portës kundërshtare për golin e tretë.
Në 45 minutat e dyta skuadra lidere e tabelës shënoi dy gola të tjerë përmes yllit egjiptian dhe atë brenda vetëm shtatë minutash (54’, 61’) për rezultatin 5:1.
Vendësit dukej se do të bënin kthesë pas golit të dytë përmes Dejan Kulusevski në minutën e 72-të dhe Dominic Solanke në minutën e 83-të, por dy minuta më vonë Luis Diaz shënoi golin e tij të dytë në ndeshje, pas asistimit të Sallah, për rezultatin përfundimtar 6:3.
Liverpool në këtë mënyrë thellon diferencën në katër pikë ndaj Chelsea, i cili sot arriti vetëm një barazim në udhëtim tek Everton – 0:0. Po me këtë rezultat luajtën edhe në ndeshjen tjetër të ditës Fulham dhe Southampton.
Manchester United ndërkaq u trondit në stadium të vet nga skuadra Bournemouth duke pësuar 0:3. Me të njëjtin rezultat fitoi si mysafir edhe skuadra Wolves ndaj Leicester City.