Gjykata Penale në Shkup i liroi sot katër të akuzuarit për organizimin e ngjarjeve të dhunshme në parlament në vitin 2017, pasi prokuroria dhe Gjykata e Apelit kërkuan që ata të përfshiheshin në Ligjin e Amnistisë.
Ngjarja ishte cilësuar atëherë si përpjekje terroriste për rrënimin e rendit shtetëror, ndërsa katër të akuzuarit, njëkohësisht zyrtarë të lartë të kohës së VMRO-DPMNE-së, sipas akuzës kishin mobilizuar persona për t’u futur me forcë në parlament dhe për të ushtruar dhunë, raporton VoA.
Katër të akuzuarit kryesorë për organizimin e ngjarjeve të dhunshme më 27 prill 2017, ish-kryetari i Parlamentit Trajko Veljanovski, ish-ministrat Spiro Ristevski dhe Mile Janakievski dhe ish-drejtori i shërbimit sekret, Vladimir Atanasovski u lanë të lirë sot nga Gjykata Penale.
Rasti i tyre përfshihet në Ligjin e Amnistisë të miratuar në vitin 2018, ndonëse ata akuzoheshin për veprën “rrezikim terrorist ndaj rendit shtetëror”.
Procesi gjyqësor zgjati gjashtë vjet. Në gjykimin e parë më 2021 Trajko Velanovski u dënua me 6 vjet e gjysmë heqje lirie dhe tre të tjerët me nga gjashtë vjet burg, por Gjykata e Apelit vitin e kaluar e ktheu rastin për rigjykim në shkallën e parë.
Katër të akuzuarit, njëkohësisht zyrtarë të lartë të kohës së VMRO-DPMNE-së akuzoheshin se kishin organizuar hyrjen e grupeve në parlament dhe se angazhonin persona për të ushtruar dhunë.
“Nga selia e VMRO-së, Janakievski dhe Ristovski vazhdimisht mobilizonin anëtarë të partisë nga Shkupi dhe qytete ë tjera për t’u futur me forcë në parlament”, sipas akuzës.
Grupet dhe individët e dhunshëm sulmuan fizikisht deputetët e Lidhjes Social Demokrate dhe Ziadin Selën e Aleancës për Shqiptarët, teksa ky i fundit e pësoi më rëndë.
Ngjarjeve iu parapriu revolta e nxitur në parlament nga ligjvënësit e VMRO-DPMNE-së, kur Talat Xhaferi i BDI-së u zgjodh për kryetar të parlamentit.