Liderët e shteteve arabe janë të ftuar të mblidhen të premten në Arabinë Saudite për herë të parë për të formuluar një përgjigje ndaj planit të presidentit të SHBA, Donald Trump, për t’i dhënë SHBA-së zotërimin e Gazës, për të dëbuar popullatën palestineze dhe për ta shndërruar atë në një “Riviera” të Lindjes së Mesme.
Takimi që përfshin Egjiptin, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Katarin dhe shtete të tjera arabe të Gjirit, do të zhvillohet para një samiti të madh arab më 4 mars. Takimi i shteteve islame pritet të zhvillohet pas tij, sipas Ministrisë së Jashtme të Egjiptit.
Plani i Egjiptit përfshin një program 10-20 vjeçar për rindërtimin e Gazës me financim nga shtetet arabe të Gjirit, duke përjashtuar Hamasin nga qeverisja dhe duke lejuar mbajtjen e 2.1 milionë banorëve palestinezë. Plani ende nuk ka fituar mbështetje të plotë nga shtetet arabe për shkak të mospajtimeve mbi qeverisjen e Gazës.
Ndërkohë, kryeministri egjiptian, Mostafa Madbouly, tha se Egjipti mund të rindërtojë Gazën brenda tre vitesh, megjithëse ekspertët sugjerojnë se rindërtimi do të marrë më shumë kohë dhe do të kushtojë mbi 50 miliardë dollarë, shkruan CNN.
Plani i rindërtimit mund të përfshijë donacione publike dhe private, me mundësinë e një konference ndërkombëtare dhuruesish për Gazën në prill. Megjithatë, çdo përpjekje për rindërtim mund të dështojë nëse Gaza kthehet në luftë, ndërsa bashkëpunimi i Izraelit mbetet një çështje e paqartë.