LDK do të qëndrojë në opozitë, thotë Abdixhiku

LDK do të qëndrojë në opozitë, thotë Abdixhiku

Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku ka thënë se partia që ai drejton do të qëndrojë në opozitë dhe do të respektojë vullnetin e popullit të shprehur me votë më 9 shkurt.

Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka thënë se qëndrimet e LDK-së mbesin të njëjta për sa i përket formimit eventuale të qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve.

“Pavarësisht të gjithave, siç e thash në konferencën e natës së zgjedhjeve, ky rezultati nuk është rezultat ndryshimi për Kosovën; sepse populli i Kosovës ka tjera preferenca. I respektojmë. Do t’i respektoj këto preferenca, sepse nuk di ndryshe! Qëndrimet e mia e të LDK-së paraelektorale mbeten edhe zotime të sotme. Le të mësohemi me një politikë ku mbajtja e fjalëve është standard bazik e ku marrja e pushtetit me çdo kusht nuk është qëllim”, ka shkruar Abdixhiku.


Ai ka thënë se LDK-ja në këto zgjedhje ka shënuar rritje të elektoratit, pas rënies historike.

“E rëndësishme që kemi ri-gjetur njëri-tjetrin, jemi kthyer në bazë. E rëndësishme që kemi rikthyer veten në numrat tanë historik. Kjo është baza jonë! LDK nuk i ka fituar zgjedhjet, do të donim këtë në veçanti ne, këtë e dimë, por LDK pritet t’i shtojë plot 80 mijë vota; e kapërcimi prej 12 në 20% do të vërtetohet si arritje e jashtëzakonshme. Prisni pak ditë. Ne nuk e kemi nisur garën as me 50% as me 20%. Ishim vetëm 12%! Sot, mbështetemi në qytetarinë që na jep edhe qetësi edhe shtytje për rrugëtimin e ri”, ka thënë Abdixhiku.

Rezultatet preliminare të KQZ-së, pas numërimit të 99.72 për qind të votave, rendisin Lidhjen Demokratike të Kosovës subjektin e tretë politik në vend, me 147 mijë e 777 vota ose 17.68 për qind.

Lexo edhe

Video