Lidhja Demokratike e Kosovës ka dënuar sulmet në veri të vendit duke i quajtur akte terroriste që “janë të papranueshme dhe përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë, stabilitetin dhe demokracinë në vendin tonë”.
LDK u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të ndërmarrin masa urgjente për të identifikuar dhe sjellë para drejtësisë përgjegjësit e këtyre veprimeve kriminale.
“Po ashtu, kërkojmë një koordinim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të garantuar që këto sulme të mos përsëriten dhe të ruhet rendi dhe qetësia publike në Republikën e Kosovës. LDK-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur sigurinë dhe stabilitetin e qytetarëve tanë dhe qëndron fuqishëm përkrah institucioneve shtetërore të sigurisë dhe partnerëve ndërkombëtarë për të mbrojtur integritetin dhe rendin në vend”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
Mbrëmjen e 29 nëntorit ka ndodhur një shpërthim në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, në pjesën veriore të Kosovës. Paraprakisht pati edhe sulme të tjera ndaj institucioneve në veri.
Shpërthimi ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se sulmi është kriminal e terrorist dhe vjen nga bandat e orkestruara nga Beogradi.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sulmi ka pasur synim dëmtimin e infrastrukturës “mbase edhe më të rëndësishmen që kemi”.
Prej Ibër-Lepencit furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të Kosovës, gjithashtu Koorportata Energjetike e Kosovës.