Lansohet sistemi elektronik i menaxhimit të materialit arkivor

Në shënimin e 74-vjetorit të themelimit të Arkivit të Kosovës, ka nisur edhe aktiviteti “Java e Arkivit të Hapur”, ku është lansuar sistemi elektronik i menaxhimit të materialit arkivor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se arkivat janë gardian të trashëgimisë dokumentare, prandaj tha se si qeverisjes i kanë dhënë vëmendjen që meriton.

Kurti teksa listoi gjashtë aspektet që përmirësuan funksionimin e arkivit, ofroi rritje të mbështetjes institucionale për Arkivin e Kosovës, raporton KosovaPress .

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Arkivit të Kosovës, Bislim Bislimi u shpreh se kanë digjitalizuar miliona dokumente.


Sipas tij, vetëm në vitin 2024 Arkivi i Kosovës ka digjitalizuar 2.5 milionë dokumente, derisa u shpreh se deri në fund të këtij vitit presin t’i bashkohen trendit të rajonit.

Si sfidë të radhës, Bislimi tha se mbetet krijimi i kushteve për pranimin e më shumë se 25 kilometrave apo mbi 250 milionë dokumenteve arkivore që ndodhet jashtë Agjencisë, raporton KosovaPress.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Arkivit të Kosovës, Bislim Bislimi tha se vitin e kaluar nga komunat veriore kanë rikthyer material arkivor nën kontroll të Arkivit të Kosovës.

“Kur jemi tek komunat veriore, vitin e kaluar, falë bashkëpunimit me Policinë e Kosovës, rikthyem nën kontrollin ligjor të Agjencisë materialin arkivor që mbahej nga strukturat e paligjshme në veri që financoheshin e organizoheshin nga Serbia. Me sasinë e dakorduar, me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, për dorëzim në Arkiv të materialit të ish ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, tashmë mund të themi se Agjencia e Arkivave vetëm në vitin e fundit ka rritur sasinë e përgjithshme të materialit, afër 35%”, tha ai.

Video