Përshëndetja e fundit e djalit të saj ishte e thjeshtë, por fjala e tij mbeti e pathënë për nënën që e mbajti përjetësisht në zemër. “A jam unë më i miri?” ishte pyetja që Sefedin Vitija, e shtriu në heshtje, duke kërkuar një fjalë miratimi nga ajo që e kishte dashur më shumë se kushdo tjetër në botë. Por, ky moment do të bëhej kujtimi më i dhimbshëm, një shenjë e dashurisë dhe e sakrificës së papërshkrueshme që ai do të bëjë për atdheun.
Kështu rrëfen, Zymrije Vitija, nënë e djalit dëshmor, e cila, kujton fjalët e fundit që kishte shkëmbyer me të birin para se të dilte nga shtëpia.
Në projektin i cili është lansuar sot “Zërat e Lirisë: Gratë e UÇK-së rrëfejnë” që sjell rrëfimet e katër grave të UÇK-së nga rajoni i Prishtinës, është vlerësuar lartë kontributi i tyre për liri e shtet ndërtim.
Ndonëse, shumë fjalë i kanë mbetur të ngulitura në zemër, ajo ndjehet krenare që djali saj ka dhënë jetën për lirinë të cilën sot gëzon populli i Kosovës.
“Të shtunën ishte në shtëpi, u përshëndet me neve, djali madh i ka thënë, rri se po shkoj unë, derisa ky ua ktheu, e ku është me shku shehid dhe ka dalë…Më kanë mbet shumë brenga, se kur ka ardhë dhe më tha nënë ulu këtu, tha nenë më trego drejt diçka, a jam unë ma i miri, thash tregomë djali jem cilin e kam të keq, gjithë jeni të mirë, dhe insistoi sërish a jam më i mirë? T’i them këtij je më i miri thosha me vete po me hidhërohen të tjerët. Qaty e kam brengë nëse i kam thënë po ose jo, ajo mend mbahet”, rrëfen Vitija.
Në anën tjetër, edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparm Rama, u shpreh se përmes këtyre rrëfimeve synohet të dëshmohet forca, vendosmëria dhe trimëria e këtyre grave, luftëtarë të UÇK-së, të cilat siç tha ai, “me armë në dorë dhe me çdo zotësi që kishin u angazhuan për lirinë e Kosovës”.
Ndërsa, është zotuar se gjatë gjithë vitit përmes aktiviteteve të ndryshme do të nderojnë kontributin e grave të luftës.