Lansohet projekti “MusiKOS” me shkollën Amadeus në Prishtinë

Lansohet projekti “MusiKOS” me shkollën Amadeus në Prishtinë

Është lansuar projekti “MusiKOS”, një projekt franko-gjerman me shkollën Amadeus në Prishtinë, i cili synon të promovojë talentet muzikore dhe diversitetin kulturor në Kosovë duke ofruar trajnim intensiv të muzikës klasike për të rinjtë kosovarë për një vit shkollor.

Nga ky projekt do të përfitojnë rreth 100 nxënës të shtresave të ndryshme sociale që jetojnë në kryeqytet dhe rreth tij.

Ambasadori i Francës në Prishtinë, Olivier Guerot ka theksuar se talentet e përzgjedhur do të përfitojnë trajnime individuale dhe orkestrale gjatë gjithë vitit. Ai ka shtuar se MusiKOS gjithashtu do të përfaqësojë trashëgiminë muzikore të përbashkët franceze gjermane dhe do të kontribuojë në dialogun kulturor.

“Projekti MusiKOS do të synojë të promovojë talentet muzikore dhe diversitetin kulturor në Kosovë duke ofruar trajnim intensiv të muzikës klasike për të rinjtë kosovarë. Pas audicioneve që do të fillojë Amadeus në të gjithë vendin për muzikantë të rinj dhe këngëtarë të korit, veçanërisht me prejardhje të pafavorshme socio-ekonomike. Talentet e përzgjedhur do të përfitojnë trajnime individuale dhe orkestrale gjatë gjithë vitit. Muzika nxit mirëkuptimin dhe forcon lidhjet e komunitetit dhe përfshirjen sociale. Projekti do të kontribuojë në ruajtjen dhe evoluimin e trashëgimisë muzikore të Kosovës, duke siguruar që ajo të pasqyrojë diversitetin e plotë të popullit të saj. MusiKOS gjithashtu do të përfaqësojë trashëgiminë muzikore të përbashkët franceze gjermane dhe do të kontribuojë në dialogun kulturor. Krahas muzikantëve kosovarë dhe mësuesve të Amadeus-it, muzikantë profesionistë francezë dhe gjermanë do të zhvillojnë seanca mentorimi me talentet e rinj për të zgjeruar horizontin e tyre profesional në muzikë”, tha Guerot.


Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Mathias Kiesler ka nënvizuar se me këtë projekt tregohet se si muzika mund të thyejë barrierat dhe të krijojë mundësi për rritje dhe të krijojë mundësi për muzikë të bukur.

“MusiKOS, projekti që ne po e kremtojmë dhe e lansojmë sot është vërtet një iniciativë frymëzuese. Ai bashkon të rinjtë me prejardhje të ndryshme sociale dhe etnike, dhe tregon se si muzika mund të thyejë barrierat dhe të krijojë mundësi për rritje dhe të krijojë mundësi për muzikë të bukur. Ne festojmë sot traktatin e Elysee dhe ky traktat përfaqëson një udhëtim të thellë të pajtimit franko-gjerman. Ai u nënshkrua në vitin 1963. Në këtë traktat, dy ish-kundërshtarët u kthyen në aleatë të ngushtë dhe miq të vërtetë. Ai e shndërroi armiqësinë në partneritet dhe në miqësi, dhe kjo dëshmon se dialogu në bashkëpunim mund të kapërcejë edhe ndarjet më të thella shekullore. Bashkëpunimi franko-gjerman në Kosovë është i shumtë edhe në kulturë. Instituti Francez dhe Goethe Zentrum janë platforma të mira për shkëmbimin kulturor, dhe projekti MusiKOS po përfiton drejtpërdrejt nga këto sinergji. Duke bashkuar burimet tona, ne mund të maksimizojmë ndikimin e projekteve tona kulturore, jo vetëm për veten tonë, por për të mirën e popullit të Kosovës, veçanërisht të rinisë. Ne kemi vërtet plane të mëdha, për Kosovën, Traktati i Aachen-it e identifikoi Prishtinën, si një vend potencial për një qendër të përbashkët kulturore Franko Gjermane. Ky është objektivi, dhe ne do të vazhdojmë të punojmë drejt tij”, tha Kiesler.

Drejtoresha e shkollës së muzikës “Amadeus” në Prishtinë, Hana Petrovci derisa ka dhënë më shumë detaje për projektin, tha se moshat e nxënëseve do të jenë nga 6 deri në 17-vjeçar.

“Projekti, i cili përfshin ambasadën gjermane, franceze dhe shkollën Amadeus si implementuese e këtij projekti parasheh të përfshijë rreth 100 nxënës të shtresave të ndryshme sociale që jetojnë në Prishtinë dhe rrethinë. Projekti parasheh gjithashtu inkorporimin e nxënëseve të talentuar, të cilët ndoshta nuk kanë mundësi të ekspozohen shumë në ambiente kulturore dhe artistike me anë të cilit ne do t’i përfshijmë këtë nxënës në këtë projekt duke u dhënë mundësinë të shprehin talentin e tyre dhe përveç saj dhe të zhvillojnë talentin qoftë në instrumente muzikore të cilët ata preferojnë, por edhe në këndim…Moshat e nxënësve do të jenë nga 6 deri në 17 vjeçar…Projekti do të zgjasë një vit shkollor”, tha Petrovci.

Lexo edhe

Video