Sekretari i Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, ka kërkuar normalizim dhe paqe të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, raporton KosovaPress.
Ai gjatë vizitës zyrtare në Kosovë të mërkurën, tha se shpreson që qeveria e ardhshme të ketë angazhim të fuqishëm në dialog. Kryediplomati britanik, David Lammy në një konferencë për medie pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, tha se vendi i tij është mbështetës i palëkundur i Kosovës dhe një partner kyç. Ndërkaq, nënvizoi nevojën që sa më shpejt të formohet qeveria e re në Kosovë.
“Duam normalizim të qëndrueshëm dhe paqësor mes Kosovës dhe Serbisë. Mbretëria e Bashkuar është padyshim kontribuues i madh në KFOR, kam vizituar KFOR-in herën e fundit kur kam qenë dhe do ta vizitoj prapë. Është qenësor për sigurinë tuaj dhe shpresoj që qeveria e ardhshme do t’i adresojë nevojat e të gjithë qytetareve, duke përfshirë progresin në integrimin e serbëve të Kosovës dhe angazhimin në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian”, theksoi Lammy.
Lexo edhe: https://kosovapress.com/kryediplomati-britanik-me-kete-mesazh-ne-prishtine
Në anën tjetër, nikoqirja e takimit, presidentja Vjosa Osmani, tha se Kosova është palë konstruktive në dialog dhe e përkushtuar për paqe dhe stabilitet, pavarësisht obstruksioneve dhe provokimeve nga ana e Serbisë.
Përkitazi me këtë, Vjosa Osmani tha se është e domosdoshme që Serbia t’i vendosë para përgjegjësisë autorët e aktit të agresionit serb në shtator të vitit 2023, shkruan KosovaPress.
“Kosova mbetet një palë konstruktive dhe përkushtuar për paqe dhe stabilitet, pavarësisht se vazhdimisht përballemi me obstruksione dhe provokime nga ana e Serbisë, përfshirë edhe sulmet e njëpasnjëshme që kanë filluar vite më herët dhe po vazhdojnë edhe tani. Është e domosdoshme që të ketë llogaridhënie dhe vënie të autorëve para përgjegjësisë nga ana e Serbisë, por fatkeqësisht s’po shohim se s’ka asnjë lëvizje në këtë drejtim. As sa i përket aktit të agresionit të shtatorit 2023 dhe as sa i përket sulmit të ushtarëve të NATO-s dhe as për veprimet e fundit që kanë ndodhur në veri të vendit”, theksoi Osmani.
Lexo edhe: https://kosovapress.com/presidentja-vjosa-osmani-pret-ne-takim-sekretarin-britanik-david-lammy
Krahas kësaj, e para e vendit, bëri të ditur se ka propozuar thellimin strategjik të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, në fushën e mbrojtjes dhe ekonomisë.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim…
Avancimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve e përmendi edhe sekretari britanik, David Lammy, sidomos në fushën e mbrojtjes, teknologjisë, inovacionit dhe energjisë së pastër.
Ai theksoi edhe nevojën për progres të Kosovës në rrugën e saj euro-atlantike.
Kryediplomati britanik ka arritur në Prishtinë të martën mbrëma, ku është takuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe disa prej anëtarëve të kabinetit të tij.
Ai po qëndron në vizitë zyrtare në Kosovë, në kuadër të një turneu në Ballkanin Perëndimor, ku do të vizitojë edhe vendet të tjera rajonale.
/KosovaPress/