Lama: Ish-krerët e UÇK-së po e vazhdojnë Epopenë në Hagë, fjalimet po mbahen nga njerëz që s’marrin vesh nga lufta

Lama: Ish-krerët e UÇK-së po e vazhdojnë Epopenë në Hagë, fjalimet po mbahen nga njerëz që s’marrin vesh nga lufta

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po bëjnë Epopenë e vazhdimit të luftës, deklaron ish-gjenerali, Kudusi Lama. Ai thotë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë të zënë peng dhe prapa grilave po vazhdojnë luftën për ta bërë të fuqishëm kombin shqiptar. Në 27-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjeneral Lama thotë se fjalime do të mbajnë, siç shprehet ai, ata që nuk marrin vesh nga lufta. Këtë e quan të neveritshme dhe shërbim ndaj Serbisë, teksa shprehet i pakënaqur me trajtimin që i bëhet sot luftës çlirimtare.

Në intervistën për KosovaPress, gjenerali i luftës deklaron se Kosova e Shqipëria nuk po bëjnë asgjë për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

“Ata nuk janë tjetër vetëm se të marrë peng për interesa të Serbisë. Kështu që për fatin e keq nuk ka asnjë kujdestar që merret me ta nga atdheu i tyre, nga shteti i tyre edhe nga kombi i tyre. Sepse as Shqipëria nuk po bën asgjë për ta, thjesht thotë ndonjë fjalë propagandistike. Askush nuk po bënë asgjë për ta. Dhe atje po duket fare kanë dalë publikisht ata që po bëjnë një gjykim politik, po bëjnë një gjykim të neveritshëm sepse kuptohet ata janë me program, janë të paguar, parat i marrin nga Serbia apo ku di kush nga ku i marrin. Dhe janë për interesa të tyre, ata burrat atje janë të zënë peng, të mbyllur brenda dhe i nënshtrohen një maltretimi dhe një përpjekje për t’i zhburrëruar dhe për t’i nxjerrë jashtë karakterit të tyre. Ata janë shumë të fortë dhe vërtet ata po bëjnë një Epope atje në Hagë, prapa hekurave. Po bëjnë Epopenë e tyre, Epopenë e vazhdimit të luftës për ta bërë fuqishëm kombin shqiptar”, deklaron ai.

Ndër kontribuuesit më të mëdhenj të çlirimit të vendit, gjeneral Kudusi Lama thotë se në Hagë po “pastrohet Kosova nga çdo lloj njolle e armiqve”, shkruan KosovaPress.

Ai shpreson dhe është optimist se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do të dalim fitimtarë nga ky gjykim.

Më 5,6 dhe 7 mars u vranë 59 anëtarë të familjes Jashari pas rezistencës tri ditore.

Në 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, gjenerali i divizionit të këmbësorisë në Kukës konsideron se këto ditë do të mbajnë fjalime ata që nuk marrin vesh nga lufta.


“Fjalimet nëpër ceremonialitetet nesër, pasnesër do t’i mbajnë shumica e njerëzve që nuk marrin vesh fare nga lufta, që nuk flasin fare për luftën, flasin për disa suksese që nuk dihen se nga kanë ardhur, flasin për udhëheqjen e një shteti që nuk dihet se nga ka ardhur, nuk e di se si flasin por nuk ju vije marre fare të flasin. Ju evidentoni se do ta shihni vet, unë i kam parë dhe kam nxjerrë konkluzionin vetë dhe nuk më dhemb askund. Thjesht shpreh neveri dhe vetëm kaq dhe nuk kam asnjë dhimbje në këtë drejtim. Ama kjo nuk është mirë, nuk është aspak mirë, kjo i bënë me turp ata, nuk i bënë me turp luftëtarët. Unë nuk ndjehem fare i turpëruar, përkundrazi si luftëtar ndjehem shumë, shumë mirë”, shprehet ai në intervistën për KosovaPress.

Doktori i shkencave ushtarake, Kudusi Lama e quan të neveritshme dhe në shërbim të Serbisë trajtimin që i bëhet sot luftës çlirimtare.

“Ata që nuk kanë qenë asgjëkund, ata që mund të kenë qenë edhe në kontinente të tjera në atë kohë, ata se nuk e di me çfarë janë marrë në atë periudhë, ata se nuk e di se kujt i kanë shërbyer në atë periudhë mbajnë fjalime sot dhe duan prapë ta shkelin me këmbë luftën dhe ushtrinë dhe betejat dhe dëshmorët që rrallë i përmendin edhe ata për të mos thënë hiç, përveçse në një iniciativë familjare. Kjo është e neveritshme, këtë nuk mund ta pranoj askush. Ky është shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet Serbisë”, shprehet ai.

Lufta në Prekaz kërkon studim të veçantë ushtarak dhe politik, shton Lama, teksa flet për qendresën tri ditore të Jasharëve, shkruan KosovaPress.

“Pak kush po merret me luftën, pak kush po merret me Epopenë, pak kush po merret me luftën e Gllogjanit, pak kush po merret me beteja të zhvilluara në gjithë Kosovën. Sepse secila ka karakteristikat e veta, secila ka ato veçoritë që e bëjnë të veçantë, e bëjnë të njësuar, e bëjnë të ndryshme nga të tjerat. Në të gjitha rastet, gjithmonë UÇK në të gjitha frontet ka luftuar me forca më të pakta përballë forcave shumë superiore serbe dhe jugosllave dhe me mjete shumë superiore, por gjithmonë i ka detyruar ato forca që të vihen në ikje dhe të lëshojnë terren. Të gjitha këto kërkojnë një studim, të gjitha këto kërkojnë angazhim. Mirëpo, sot fushata nuk është për ta ngritur, angazhuar, pastruar, evidentuar luftën çlirimtare të Kosovës, për të pasqyruar frontet e luftës… Kjo është situata sot, nuk më pëlqen, jam i pakënaqur. Por, historia do të bëjë të vetën, të gjithë ata që i kundërvihen luftës çlirimtare të Kosovës dhe UÇK-së, fronteve dhe epopeve të saj, betejave dhe luftërave të saj do të fshijnë vetën e tyre nga historia”, deklaron ai.

Lexo edhe:

5,6 dhe 7 marsi njihet si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u vranë 59 anëtarë të familjes Jashari pas rezistencës treditore të forcave të armatosura serbe. /Sh.Pajaziti

Lexo edhe

Video