Më 23 shkurt 1848 doli numri i parë i gazetës “L’albanese d’Italia” (Shqiptari i Italisë).
Kjo gazetë mbrojti të drejtat e shqiptarëve, duke radhitur fakte e argumente të historisë së Shqipërisë, me qëllim që të njihej edhe opinioni në Itali e më gjerë.
Në krye të saj qëndronte figura e Jeronim De Radës, rilindës i shquar i kohës.
Muzeu Historik Kombëtar përkujton sot këtë ngjarje të shënuar, duke theksuar se shtypi i kohës ka dhënë ndihmesën e tij në fushën shoqërore, kulturore dhe politike gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare shqiptare. Shtypi arbëresh lindi si nevojë e domosdoshmëri për vetë ekzistencën kombëtare dhe shoqërore të dhjetëra e mijëra pasardhësve të breznive që emigruan nga viset e ndryshme shqiptare, duke u ngulitur në trevat italiane në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XV, sidomos pas vdekjes së Skënderbeut, raporton ATSh.
“L’albanese d’Italia” shërbeu gjithashtu si gazeta e parë për të formuar opinionin publik të komunitetit Arbëresh në Itali, duke sjellë në numrat e saj edhe lajme të ndryshme nga Shqipëria apo vendet e Ballkanit.
De Rada është shkrimtar arbëresh dhe një nga publicistët më të vjetër shqiptarë. Me këtë gazetë ai hodhi gurin e parë në themelet e shtypi kombëtar, ku pas kësaj gazete u botuan dhe një sërë titujsh të tjetër të rëndësishëm për kohën.
Gazeta ishte një tribunë e mirë për të përçuar mesazhet politike, shoqërore e kulturore në gjuhën italiane dhe pjesërisht edhe në arbërisht.