Mbështetje për kategoritë e dala nga lufta, përmirësim të kushteve të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë prioritetet e ish-deputetit të AAK-së, Lahi Brahimaj, i cili synon të rikthehet në Kuvendin e Kosovës në legjislaturën e nëntë.
Sikurse në luftë, tani në paqe, gjeneral Brahimaj thotë se do të jetë zëri i ish-bashkëluftëtarëve dhe do të punojë për interesat e shtetit të pavarur të Kosovës.
Me numrin 90, si pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Brahimaj i është futur garës për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit.
“Besoj shumë, falë përkrahjes që po hasim çdo kund në çdo pjesë të Kosovës, do të jem deputet, dhe në koordinim me shoqatat e luftës do të ngreh zërin e bashkëluftëtarëve, familjeve të dëshmorëve, veteranëve, invalidëve të luftës, të zhdukurve. Do të thotë kategorive të dala nga lufta. Kjo do të ishte primare – kategoritë e dala nga lufta, por sido që të jetë, çdo iniciativë e çdo grupi parlamentar që është në të mirën e popullit do ta përkrahi si deputet, por edhe si grup parlamentar i AAK-së“, thotë Brahimaj i cili më herët ishte përballur me proces gjyqësor nga Tribunali i Hagës, prej ku kishte dalë i pafajshëm.
Brahimaj thotë se me AAK-në në qeveri, aspekti i sigurisë në vend do të trajtohet me seriozitet.
“Sigurinë e vendit duhet bërë më ndryshe, jo çdo ditë ad-hock të merren vendime për një interes politik, ose një grusht vota të merren vendime të shpejta, të nxituara dhe të pakonsultuara duke i anashkaluar procedurat ligjore të shtetit të cilit i takojmë. Shumë herë janë marrë vendime ose hapa prej policisë që tingëllojnë bukur, por nuk janë respektuar procedurat ligjore. Këto kanë mund të ndodhin të njëjtat, por vetëm me i respektu procedurat ligjore, dhe sigurisht që këto nuk duhet të ndodhin në asnjë qeveri, e sigurisht që nuk do të ndodhin në qeverinë e cila besoj që do të udhëhiqet nga kryeministri Haradinaj”, shprehet Brahimaj.
Brahimaj thekson se vendimet e tij si deputet i ardhshëm i Kuvendit të Kosovës do të jenë vetëm në të mirë të vendit dhe asnjëherë të ndikuara nga ndonjë interes.
“Asnjëherë nuk kam ndryshuar sikur kur kam qenë pjesëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Trupave Mbrojtëse të Kosovës, deputet që kam qenë, por edhe në mandatin që e kam humbur për pak vota kam qenë i njëjtë dhe nuk ndryshoj për asnjë lloj interesi. Ato që unë i vlerësoj nuk ndikohem nga askush a duhet të votoj apo jo. Nëse vlerësoj se është i dëmshëm, nuk e votoj”, thotë Brahimaj.
Nga pozita e deputetit, Brahimaj thotë se do të mbështesë gjithmonë përmirësimin e kushteve të pjesëtarëve të FSK-së dhe Policisë së Kosovës.
Ish-pjesëtari i UÇK-së premton edhe rikthimin e pagesës të rrezikshmërisë për policët dhe zjarrfikësit.
“Me i pas dy uniforma, me pas ushqimin më të mirë, me i pas në menu tri-katër zgjedhje jo vetëm një sardine apo një pashtetë, të kenë rezervë dy-tri zgjidhje. E kemi edhe për policinë në veri shkojnë…kushtet çdo ushtari dhe çdo polici duhet plotësuar. Sigurisht që edhe për Policinë e Kosovës do të kthehet rrezikshmëria në punë, që janë hequr, për zjarrfikësit dhe të gjitha kategoritë që meritojnë pagesën e sigurisë do të kthehet ashtu siç ka qenë së paku me atë që ka qenë ose edhe me u rrit kuota, ose çmimi se sa do të jetë rrezikshmëria”, deklaron ai.
Brahimaj synim ka edhe mbështetjen për sektorin e bujqësisë – sektor ky të cilit ia kushtoi një pjesë të mirë të kohës.
“Sigurisht do të shohim tek sektori i bujqësisë, subvencionet, grantet duhet ndryshuar, duhet avancuar duhet t’i marrin njerëzit meritorë, por jo sikur po ndodh, familjarët. Në fushatën e kaluar, Albin Kurti tha se familjarët janë për dasma nuk janë për qeveri, ai një pjesë e dërgoi në qeveri, ata që nuk i dërgoi në qeveri ua dha nga 100 mijë euro grante e subvencione. Do të provojmë çka është në interes të qytetarit të votojmë, ato që mendojmë që nuk janë në interes të qytetarëve sigurisht që nuk do t’i votojmë“, thekson Brahimaj.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme ka nisur me 11 janar, ndërkaq më 9 shkurt qytetarët e Kosovës do të votojnë për të zgjedhur udhëheqjen e re.
Artikull i sponsorizuar