Ky është rezultati i sfidës Kosovë-Zvicër në basketboll

Ky është rezultati i sfidës Kosovë-Zvicër në basketboll

Kosova dhe Zvicra kanë zhvilluar sonte ndeshjen vendimtare në Prishtinë, si pjesë e parakualifikimeve për FIBA Kupa e Botës 2027 në basketboll.

Basketbollistët zviceranë u treguan më të vëmendshëm dhe precizë, duke shënuar madje pesë treshe në çerekun e parë, i cili përfundoi me epërsinë e tyre prej nëntë pikësh – 23:14. Mysafirët dominuan edhe çerekun e dytë, duke thelluar epërsinë në 16 pikë –  46:30.

Dardanët e Jean-Denys Choulet, i cili si përzgjedhës i ekipit tonë kombëtar erdhi në nëntor 2024, arritën të tregojnë lojën e shumëpritur vetëm në çerekun e tretë, të cilin e përmbyllën në favor të tyre 15:13. Ata vazhduan me ritëm të mirë të lojës edhe në çerekun e fundit, por pa mundur të rikthejnë rezultatin.

Dardan Berisha ishte më efikasi në radhët e dardanëve me 20 pikë, ndërsa te mysafirët Dylan Ducommun me 21 pikë.


Zvicra shkon në raundin e dytë të kualifikimeve si fituese e grupit A me gjashtë fitore nga po aq ndeshje, ndërsa Kosova renditet e treta me dy fitore dhe katër humbje.

Në ndeshjen tjetër të sotme të grupit A, basketbollistët e Azerbajxhanit pësuan në terrenin vendës nga Irlanda me rezultat 64:79. Kjo e fundit në këtë mënyrë siguroi vendin e dytë në grup me tri fitore dhe tri humbje, teksa Azerbajxhani mbetet i fundit në grup me vetëm një fitore dhe pesë humbje.

Rezultati përfundimtar: Kosovë – Zvicër 73:81 (14:23, 16:23, 15:13, 28:22)

Kujtojmë, Kosova dhe Zvicra në basketboll janë përballur deri më tash katër herë – prej tyre dardanët fituan dy herë.

Lexo edhe

Video