Të paktën pesë persona, duke përfshirë një fëmijë të vogël, kanë humbur jetën kur një veturë u përplas me një turmë njerëzish në një treg Krishtlindjesh në Magdeburg të Gjermanisë, tha një zyrtar.
Të lënduar janë 205 persona, nga të cilët 41 në gjendje shumë të rëndë, 86 janë të lënduar rëndë dhe 78 të lënduar lehtë.
Gazeta Bild mbrëmë raportoi për 11 të vdekur dhe 80 të lënduar kur mjeku 50-vjeçar me origjinë nga Arabia Saudite hyri me një BMW të zezë në tregun e Krishtlindjes, sulm ky i cili u krahasua me atë të vitit 2016 në Berlin.
Ministrja e Brendshme Nancy Faeser nuk pranoi të shtjellonte lidhjet politike të sulmuesit, por tha se sulmuesi ishte islamofob.
Hans-Jakob Schindler, drejtor i lartë i Projektit kundër-ekstremizmit, tha se “zbrazëtia” që i lejoi sulmuesit hyrjen në tregun e Krishtlindjes duhet “të hetohet dhe të rregullohet”.
“Asnjë automjet nuk duhet të afrohet, e lëre më të jetë në tregun e Krishtlindjes. Duhej të kishte një boshllëk që askush nuk e kuptoi se duhej mbyllur,” tha ai.
Raportet sugjerojnë se një linjë tramvaji kalonte përgjatë tregut, që do të thotë se nuk kishte pengesa për kalimin e tramvajeve.
Kancelari gjerman Olaf Scholz shprehu ngushëllime për të lënduarit dhe familjet e të vdekurve, duke thënë se Gjermania do të ofrojë mbështetje. Ai premtoi se autoritetet do të hetojnë tërësisht sulmuesin dhe u bëri thirrje qytetarëve “të qëndrojnë të bashkuar”.
“Nuk duhet lejuar që ata që dëshirojnë të mbjellin urrejtje, ta bëjnë këtë”, porositi ai.
Institucionet kulturore në Magdeburg, si teatrot dhe muzetë, do të mbyllen në ditët në vijim pasi qyteti mban zi për viktimat, ndërsa viktimat do të përkujtohen sonte në orën 19:00.