Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin e parashtruar nga Fadil Berisha, në të cilin është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurave në lidhje me një lëndën civile, të iniciuar përmes padisë në vitin 1991 dhe më pas ishte riaktivizuar pas vitit 2000, por çështja ishte duke pritur të zgjidhej nga gjykata e shkallës së parë, deri më 8 tetor 2024.
Gjykata njëzëri deklaroi se kërkesa është e pranueshme dhe konstatoi se ka pasur shkelje të paragrafit e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me paragrafin e drejta për një proces të rregullt, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, raporton KosovaPress.
“Rrethanat e rastit ndërlidhen me një kontest civil, përkatësisht me një kërkesëpadi të parashtruar në vitin 1991 nga A.B., babai i parashtruesit të kërkesës, në Gjykatën Komunale në Gjakovë, kundër Korporatës Energjetike të Kosovës. Kërkesëpadia për objekt të çështjes kishte kërkesën për kompensimin e dëmit, për shkak të djegies dhe shkatërrimit të shtëpisë së A.B., nga një zjarr që dyshohej se ishte shkaktuar si pasojë e një avarie elektrike nga rrjeti i menaxhuar nga Korporata Energjetike e Kosovës. Përkitazi me rastin, Gjykata Komunale në Gjakovë kishte mbajtur disa seanca gjyqësore por pa një epilog (vendim) përfundimtar për çështjen. Padia ishte riaktivizuar në Gjykatën Komunale të Gjakovës pas vitit 2000. Çështja ishte ndërprerë kohë pas kohe për shkak të përfundimit të procedurave të trashëgimisë, pasi që në vitin 2010 babai i parashtruesit kishte ndërruar jetë dhe parashtruesi i kërkesës dhe vëllau i tij ishin caktuar trashëgimtar legjitim. Më 22 mars 2017, Gjykata Themelore në Gjakovë kishte njoftuar parashtruesin e kërkesës se seanca e caktuar për datën 27 mars 2017, për arsye objektive nuk mund të mbahej. Më 22 qershor 2023, ishte iniciuar mbajtja e seancës përgatitore por për shkak të mungesës së ndërmjetësve juridikë L. B. dhe S.B., sërish kishte dështuar. Seanca e radhës ishte caktuar për datën 17 korrik 2023. Pavarësisht faktit se rasti ishte iniciuar përmes padisë në vitin 1991 dhe më pas ishte riaktivizuar pas vitit 2000, çështja ishte duke pritur të zgjidhej nga gjykata e shkallës së parë, deri më 8 tetor 2024. Si rrjedhojë, parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kontestoi tejzgjatjen e procedurave për lëndën civile, e cila pritej të vendosej nga Gjykata Themelore në Gjakovë, me pretendimin se kjo e fundit është duke cenuar të drejtën e tij për një vendim brenda një afati të arsyeshëm, e drejtë kjo e garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, si dhe paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në komunikatën e Kushtetueses.
Sipas Kushtetueses, duke pas parasysh veprimet procedurale të ndërmarra nga gjykata e shkallës së parë dhe pas analizimit të kritereve që aplikohen për tejzgjatjen e procedurave, Gjykata konstatoi se përgjegjësia për zvarritjen e lëndës në rrethanat e rastit konkret nuk mund t’i atribuohej sjelljes së paditësit dhe parashtruesit të kërkesës, por Gjykatës Themelore në Gjakovë, e cila pa ndonjë arsye konkrete nuk kishte arritur të caktojë qoftë edhe një seancë përgatitore për t’u dhënë mundësi palëve që të deklarohen lidhur me kërkesëpadinë e tyre, raporton KosovaPress.
“Duke marrë për bazë rrethanat e rastit konkret, Gjykata vlerësoi se si rezultat i mos caktimit të seancave apo mos mbajtjes së seancës përgatitore; shtyerjes së seancave si pasojë e organizmit të punëtorive; dhe mos thirrjes në mënyrë të rregullt të ndërhyrësve në procedurë, Gjykata Themelore në Gjakovë kontribuoi në zvarritjen e vendimmarrjes për këtë çështje deri në tetor të vitit 2024. Si rezultat, kjo periudhë ka dërguar në një tejzgjatje të procedurës për më shumë se gjashtëmbëdhjetë vite. Si rezultat, Gjykata konstatoi se në rrethanat e parashtruesit të kërkesës, Gjykata Themelore në Gjakovë ka shkelur të drejtën e tij për gjykim brenda një afati kohor të arsyeshëm, të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së. Gjykata vendosi se pas publikimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, gjykatat e rregullta duhet të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për të përmbyllur çështjen juridike të parashtruesit të kërkesës me prioritet dhe dinamikë të shtuar, brenda një afati sa më të shpejtë kohor dhe konform gjetjeve të Gjykatës”, thuhet në komunikatë.