Kush me kë duhet të bëjë koalicion sipas qytetarëve?

Zgjedhjet kanë përfunduar tash e më shumë se një muaj, por certifikimi i rezultateve është në pritje për shkak të ankesave të partive politike në Gjykatën Supreme. Asnjëra nga partitë nuk e ka numrin e mjaftueshëm të ulëseve të siguruara në Kuvend për të formuar qeverinë e vetme.

Krejt ndryshe nga katër vjet më parë, në zgjedhjet e 9 shkurtit Vetëvendosje doli e para, por ajo nuk mund të formojë e vetme qeverinë pa një koalicion me njërën nga subjektet e tjera politike.

Në lidhje me ketë qytetarët kanë mendime të ndryshme se kush me kë duhet të bashkëpunojë për të krijuar qeverinë. Disa prej tyre e shohin të arsyeshme që të ketë një qeveri stabile me koalicion më të gjerë, ndërsa disa të tjerë mendojnë se fituesi duhet të formojë qeverinë me komunitetet pakicë.

Ali Hoti thotë se do të ishte e rrugës të formohej një qeveri stabile ndërmjet Vetëvendosjes dhe PDK-së, por ka dyshime për arritjen e këtij koalicioni për shkak të raporteve të kaluara ndërmjet këtyre dy partive politike.

Qamil Hajdari thotë se të gjitha partitë duhet të formojnë një koalicion të gjerë, duke pasur parasysh sfidat si çështja e formimit të asociacionit, dhe pas kësaj sipas tij, vendi duhet të shkojë prapë në zgjedhje.

Ndërsa Ilmi Krasniqi thotë se qeverinë duhet ta formojë Lëvizja Vetëvendosje me komunitetet pakicë.

Hys Hasani thotë se duke pasur parasysh temat e pazgjidhura të Kosovës, partia fituese e zgjedhjeve duhet të arrijë koalicion me ndonjërën nga subjektet e tjera politike.

Kujtojmë, presidentja Vjosa Osmani obligohet të nominojë partinë fituese të zgjedhjeve si mandatarë për krijimin e qeverisë së re. Kabineti qeveritar duhet t’i sigurojë 61 votat e nevojshme. Lëvizja Vetëvendosje është e obliguar që brenda një afati prej 15 ditësh ta propozojë para Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.


Mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës duhet të mbahet më së voni 30 ditë pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, gjë e cila ende nuk ka ndodhur për shkak të ankesave në Gjykatën Supreme – një e VV, një e PDK-së dhe një e PDAK-LPB.

Këto ankesa janë hedhur poshtë nga PZAP, por subjektet politike kanë ushtruar të drejtën e ankimimit në Supreme dhe në bazë të vendimeve që do të sjellë kjo e fundit do të dihet se kur edhe do të mund të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve.

VV, e cila ka 48 ulëse të fituara në Kuvend, ka thënë se do të formojë e vetme qeverinë, por pa saktësuar se si dhe me kënd.

PDK, e cila 24 ulëse në Kuvend, LDK 20 dhe AAK-NISMA 8 ulëse, kanë këmbëngulur se janë ato që duhet ta formojnë kabinetin e ri qeverisës pa VV-në. LDK-ja ka vendosur kusht që të ketë postin e kryeministrit nëse qeveria formohet nga këto tri parti.

Ministri në detyrë i MAPL-së, Elbert Krasniqi nga Iniciativa Demokracia e Re, ka paralajmëruar se ai do të jetë pjesë e qeverisë vetëm me Albin Kurtin kryeministër.

Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse prej të cilave 20 janë të rezervuara për pakicat, prej tyre dhjetë për komunitetin serb. Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lista Serbe ka fituar 9 ulëse, një më pak se më 2021, ndërsa një ulëse e ka fituar partia e Nenad Rashiq – Za Slobodu Pravdu i Opstanak.

Nëse dështon formimi i qeverisë brenda 40 ditësh, shefja e shtetit duhet të shpallë dekretin për zgjedhjet e reja që duhet të mbahen 40 ditë pas shpalljes së vendimit.

Artikulli i plotë në sistemin me parapagim.

/KosovaPress/

Lexo edhe

Video