Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, do të jenë 30 deputetë të rinj në legjislaturën e nëntë të Kuvendit, për dallim nga ajo paraprakja. Sipas këtyre të dhënave preliminare, 35 deputetë nga legjislatura e kaluar kanë mbetur jashtë Kuvendit. Figurat e reja në legjislativ po mirëpriten nga monitoruesit e punës së Kuvendit, derisa thonë se disa ish-deputetë janë ndëshkuar nga populli për mospunën e tyre, ndërkaq të tjerë për shkak të mospërkrahjes nga partia.
Në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së, pa numëruar votat e diasporës e ato me kusht, LVV-ja pritet t’i ketë 47 deputetë, PDK-ja 25, LDK-ja 20 dhe AAK-Nisma 8.
Më së shumti deputetë të rinj në këtë legjislaturë ka LVV-ja, 10 sosh. Pas saj është PDK-ja, me 9 deputetë, pasuar nga LDK-ja me 6 deputetë të rinj dhe AAK-Nisma me pesë deputetë. Në partinë aktuale në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje nga 11 ministrat e saj që kanë kandiduar për deputetë, 10 kanë marrë mjaftueshëm vota për t’i fituar mandatet, kurse vetëm ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari s’ka fituar votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e Kuvendit, raporton KosovaPress.
Deputetët e rinj të LVV-së në këtë legjislaturë janë: Edona Llalloshi, Nezir Kraki, Valon Hoti, Liza Gashi, Drita Pajaziti, Agim Bahtiri, Ilir Kërçeli dhe Bylbyl Sokoli, ndërsa nga ish-ministrat që për herë të parë do të betohen si deputetë janë Ejup Maqedonci dhe Artane Rizvanolli.
Kurse, 19 deputetët e legjislaturës së kaluar që kanë rikandiduar e në bazë të rezultateve preliminare, nuk kanë arritur të bëhen deputetë janë: Ardian Gola, Enver Dugolli, Adnan Rrustemi, Agon Batusha, Alban Bajrami, Arta Bajralia, Besim Muzaqi, Ekrem Mustafa, Enver Haliti, Nijazi Isaku, Shqipe Isufi, Vendenis Lahu, Gani Krasniqi, Gramos Agusholli, Hydajet Hyseni, Jetmire Vrenezi, Milazim Salijaj, Mirlinda Tishukaj, Mirsad Shkreta dhe Nasuf Bejta.
Në Partinë Demokratike të Kosovës, për dallim nga legjislatura e kaluar, deputetë të rinj do të jenë: Sala Jashari, Përparim Gruda, Jakup Nura, Rrahman Rama, Artan Behrami, Xhevahir Geci, Altin Krasniqi, Nait Hasani dhe Fadil Demaku, kurse jashtë legjislativit kanë mbetur Xhavit Haliti, Ardian Kastrati, Florete Zjenullahu, Hajdar Beqa, Hisen Berisha e Isak Shabani. Mirëpo, për të mundësuar plotësimin e kuotës, rrezikojnë mandatin Bekim Haxhiu dhe Arben Mustafa, për t’u zëvendësuar me Arbnore Salihun e Kosovare Murselin.
Në anën tjetër, në Lidhjen Demokratike të Kosovës, në bazë të rezultateve aktuale preliminare, figura të reja në legjislaturën e nëntë do të jenë: Jehona Lushaku-Sadriu, Ekrem Hyseni, Fadil Hadergjonaj, Krenar Xhaferi, Shkemb Manaj, Paris Guri dhe Sadri Berisha, e po ashtu dy kryetarët e komunave, Imri Ahmeti dhe Gazmend Muhaxheri, raporton KosovaPress.
Ndërkaq, jashtë kuvendit kanë mbetur ish-deputetët e legjislaturës së kaluar: Driton Selmanaj, Rrezarta Krasniqi, Valentina Bunjaku, Vlora Dumoshi dhe Drita Millaku.
E në koalicionin AAK-Nisma të vetmit të deputetë nga legjislatura e kaluar janë Ramush Haradinaj, Time Kadrijaj e Bekë Berisha. Ndërkaq deputetë të rinj në këtë legjislaturë do të jenë Daut Haradinaj dhe Lahi Brahimaj, ndërkaq nga Nisma pritet të rikthehet në Kuvend, Fatmir Limaj, Arbëreshë Krasniqi dhe Xhevahire Izmaku. Ndërkaq, jashtë ka mbetur, Besnik Tahiri, Pal Lekaj, Shemsedin Dreshaj e Albana Bytyqi.
Këto ndryshime në Kuvendin e Kosovës, sipas hulumtuesit në Institutin e Kosovës për Drejtësi(IKD), Naim Jakaj, kanë ndodhur pasi shumë ish-deputetë janë ndëshkuar nga qytetarët, siç thotë ai për mospunën dhe mosaktivizimin e tyre në legjislaturën e kaluar.
Megjithatë, ai shtoi te disa kandidatë, ish-deputetë të legjislaturës së kaluar, të cilët kanë qenë aktiv e s’kanë fituar mandatin, fajtor është partia që se ka orientuar votuesin kah të votojë.
Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Erblin Hoxha, thotë se në legjislaturën e nëntë do të ketë deputetë të rinj, mirëpo kjo jo domosdoshmërish përkthehet në kualitet.
Mirëpo, monitoruesi i punës së Kuvendit, Naim Jakaj, deklaron se disa kandidatë të zgjedhur në legjislaturën e nëntë janë profesionistë dhe teknokrat, në dikastere të caktuara.
Në këtë kontekst, ai thotë se legjislatura e nëntë do të jetë më e mirë sesa legjislatura e tetë, raporton KosovaPress.
Në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), aktualisht po numërohet votat nga diaspora dhe ato me kusht.