Kurti premton një miliard euro investime për ushtrinë

Kurti premton një miliard euro investime për ushtrinë

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një tubim zgjedhor në Therandë, ku kryeministri Albin Kurti është pritur me mikpritje të ngrohtë nga qytetarët. Në fjalimin e tij, Kurti ka shfrytëzuar rastin të prezantojë arritjet e qeverisë së tij dhe të ‘thumbojë’ qeveritë e kaluara për dështimet e tyre.

“Theranda gjithmonë ka qenë një shembull i patriotizmit dhe përkushtimit kombëtar. Nga këtu, ku dëshmorët dhe artistët janë përjetësuar, jemi krenarë për gjithçka që kemi arritur këto katër vite. Kemi rritur ekonominë, kemi shtuar punësimin, kemi mbështetur bujqit dhe pensionistët. Po ndërtojmë një Kosovë të sigurt dhe të fortë, na ka qellu kojshia i keq, e ka zgjidhje edhe ajo e që është pushka e mirë”, tha Kurti.

Duke u ndalur te çështja e mbrojtjes, Kurti premtoi se qeveria e tij në mandatin e ardhshëm, do të investojë 1 miliard euro për ushtrinë e Kosovës. Ai përmendi blerjet e dronëve luftarakë dhe pajisjeve moderne ushtarake, si dhe ndërtimin e fabrikës së municionit në vend.


Duke iu referuar investimeve të realizuara në Therandë, ai përmendi faktin se janë investuar mbi 13 milionë euro në infrastrukturë, mbështetje për fermerët, si dhe mbështetja në arsim e kulturë.

“Theranda është shembull i një Kosove që rritet, që forcohet dhe që nuk diskriminohet. Ndryshe nga qeveritë e kaluara, buxheti për arsim, shëndetësi dhe ushtri ka njohur rritje të paprecedentë. Ndërsa ata zhvillonin dialog në Bruksel, Serbia forcohej dhe Kosova dobësohej. Me ne, situata është e kundërta”, ka shtuar ai.

Kurti theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 9 shkurtit, të cilat i cilësoi si referendum për të ardhmen e Kosovës. Ai kërkoi angazhimin e qytetarëve nga Theranda për të arritur 15 mijë vota në këtë komunë, duke u bërë thirrje të votojnë për numrin 118.

“Me 9 shkurt nuk ka zgjedhje, ka referendum. Është dita kur duhet të ndëshkoni me votë ata që për dekada e kthyen Kosovën mbrapa dhe të na jepni neve mandatin për ta çuar atë përpara”, përfundoi Kurti, duke siguruar qytetarët për një qeverisje edhe më të fuqishme në mandatin e ardhshëm.

Lexo edhe

Video