Kurti përmend Hashim Thaçin dhe shumë figura tjera që kontribuan për pavarësinë e Kosovës

Në ceremoninë e parakalimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se “pas nesh shtrihet historia e gjatë e rezistencës dhe luftës për të arritur tek krijimi dhe ndërtimi i shtetit të Kosovës”.

Në këtë ceremoni ku po ndiqnin nga afër edhe shumë qytetarë, kryeministri Kurti përmendi të gjitha personalitetet që ndihmuan Kosovën në pavarësinë e saj duke nis nga Hasan Prishtina e deri tek ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kurti tha se në historinë moderne të Evropës krijimi i shtetit të Kosovës është një nga historitë më të fuqishme dhe shembullore të përparimit për liri dhe këmbëngulje për shtet.

Sipas tij historia e Kosovës nuk fillon dhe as nuk mbaron me asnjërin brez.

Kurti në manifestimin kryesor të shënimit të 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, përmendi edhe udhëheqësit e vendit në kohën kur është shpallur pavarësia, ish-presidentin Fatmir Sejdiu, ish-kryekuvendarin, Jakup Krasniqi dhe ish-kryeministrin Hashim Thaçi.

Shefi i ekzekutivit kosovar tha se Republika e Kosovës është rezultat mbi të gjitha i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


“Republika e Kosovës është rezultat i rezistencës paqësore e këmbëngulëse të presidentit, Ibrahim Rugova që ndonëse nuk e arriti për së gjalli 17 shkurtin e 2008-tës e thirri dhe e shpresoi atë ditë deri në frymën e tij të fundit….Republika e Kosovës është rezultat mbi të gjitha i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i luftës së drejtë të saj për çlirim dhe për liri e cila u ndihmua nga SHBA dhe vendet aleate të NATO deri në çlirim përfundimtarë në qershor 19999. Republika e Kosovës është rezultat i aktit sipëror të brezit më të ri të zgjedhurve të popullit të saj emrat e përveçëm të së cilëve lexohen pas firmave të nënshkruara në deklaratën e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nga 109 deputetë të Kuvendit si dhe nga krerët shtetëror të asaj kohe, presidenti, Fatmir Sejdiu, kryekuvendari, Jakup Krasniqi dhe kryeministri, Hashim Thaçi. Sot kur po e festojmë 17-vjetorin e pavarësisë të gjithë dëshmorët dhe martirët janë mes nesh sepse kjo shtëpi e jona e përbashkët e Kosovës është ndërtuar pikërisht nga gjaku i tyre”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se UÇK është ushtria që ka vuajtur më së shumti për municion, prandaj siç tha ai “nuk ka kënaqësi më të madhe se sa pajisja e FSK-së me armatim”. 

Sot në 17-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kryeministri, Albin Kurti bashkë me presidenten, Vjosa Osmani kanë bërë homazhe tek varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova e veprimtari, Adem Demaçi, e tek kompleksi memorial në Prekaz.

17 vite më parë, saktësisht në ora 15:39 në një seancë të Kuvendit të Kosovës u bë shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Në seancën historike morën pjesë 109 deputetë, nga 120 sosh, të cilët e nënshkruan edhe Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Në këtë seancë nuk ishin të pranishëm deputetët serb. Shpallja e pavarësisë së Kosovës u bë nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.

Deri tani shtetësinë e Kosovës e kanë njohur 117 shtete të botës, derisa Qiproja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Spanja vazhdojnë të mos e njohin./B.Ibishi//E.Zeqiri/

Lexo edhe

Video