Kurti përkujton protestat e përgjakshme të 10 shkurtit

Kurti përkujton protestat e përgjakshme të 10 shkurtit

Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje ka përkujtuar protestat e 10 shkurtit 2007 kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Ahtisaarit, në të cilat policia rumune e UNMIK-ut vrau Mon Balaj dhe Arben Xheladinin.

Në këtë përkujtim të ngjarjes 18 vjet më parë sot u bënë homazhe te varri i Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, si dhe te pllaka përkujtimore e dëshmorëve në bulevardin “Nënë Tereza” në Prishtinë.


“Marshi paqësor i 10 shkurtit 2007, u përball me dhunë të tmerrshme. Aktivistët tanë Mon Balaj dhe Arben Xheladini u vranë nën breshërinë e plumbave që goditi padrejtësisht protestuesit e shumtë në shesh. Ne e mësuam republikën ende pa e pasur atë, ne shprehëm trashëgiminë e kujtesës historike dhe rëndësinë e reflektimit në lindjen e shtetit, për shtet-ndërtim demokratik pa kompromis.

Në sheshin e drejtë, në sheshin e protestave, do të ecim gjithmonë drejt, me ideale, parime e vlera të lirisë, demokracisë e shtetit të mirëqenies. Kujtimi ynë për Arben Xheladinin e Mon Balajn është i pashlyeshëm gjersa lavdia e tyre mbetet e përjetshme në zemrat e mendjet tona”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ndryshe, KMDLNJ ka kërkuar drejtësi për viktimat e 10 shkurtit, si dhe ka kërkuar që Arben Xheladini dhe Mon Balaj të pranohen si viktima politike, të rehabilitohen dhe ta fitojnë statusin e merituar, ndërsa, familjet e tyre të fitojnë të drejtën që e gëzojnë familjet e viktimave civile të luftës.

Lexo edhe

Video