Kurti për masakrën e Likoshanit dhe Qirezit: Mosveprimi i institucioneve, padrejtësi e dyfishtë

Kurti për masakrën e Likoshanit dhe Qirezit: Mosveprimi i institucioneve, padrejtësi e dyfishtë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kujtuar masakrën e Likoshanit dhe Qirezit, për të cilën ka thënë se nuk kanë ndarë drejtësi “as prokuroria ndërkombëtare pas çlirimit dhe as kjo e shtetit tonë pas shpalljes së pavarësisë”.

“Gjatë këtyre 27 viteve, shumë dëshmitarë kanë ndërruar jetë, duke e bërë edhe më të vështirë zbardhjen e së vërtetës. Ende ka plot të mbijetuar dhe dëshmitarë të gjallë, që presin të dëshmojnë. Mosveprimi i institucioneve është padrejtësi e dyfishtë për viktimat dhe familjet e tyre, të cilat jetojnë me plagët e hapura dhe mungesën e përgjegjësisë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka thënë se më 28 shkurt 1998, sulmi i forcave speciale të Serbisë, me artileri të rëndë, vazhdoi për 28 orë në fshatrat Likoshan dhe Qirez.


“Pas sulmeve me helikopterë dhe makina ushtarake, hynë forcat policore serbe. Brenda dhomës vranë me armë zjarri Rukie Nebihun, 27 vjeçare. Ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë. Në prehër kishte vajzën e saj 3 vjeçare”, ka shkruar ndër të tjera Kurti.

Sot bëhen 27 vjet nga fillimi i luftës në Kosovë, e cila nisi në fshatrat e Drenicës – Likoshan dhe Qirez, ku te vendi i quajtur “Te tre lisat” u zhvilluan luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave kriminale serbe.

Në luftimet e zhvilluara mbetën të vrarë disa policë serbë. Si pasojë e kësaj, forcat e armikut rrethuan të dy fshatrat, ku ekzekutuan 24 civilë të pafajshëm./KosovaPress


Lexo edhe

Video