Zyra e Kryeministrit e ka njoftuar Prokurorinë Speciale se shefi i ekzekutivit, Albin Kurti ndodhet në udhëtim jashtë vendit dhe nuk mund të paraqitet në Prokurorinë Speciale. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi.
Ajo ka shtuar se Prokuroria Speciale do të përgatis një ftesë tjetër për “një datë tjetër konform legjislacionit në fuqi”.
Kurti ishte ftuar të paraqitet në Prokurorinë Speciale sot në orën 09:30 në cilësinë e dëshmitarit.
“Siç jeni në dijeni, Prokuroria Speciale përmes thirrjes së rregullt e ka ftuar kryeministrin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal që kjo prokurori e ka nën hetim. Sot nga kabineti i kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është informuar se kryeministri Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot në Prokurorinë Speciale. Prokuroria Speciale konform legjislacionit në fuqi do ta përgatis një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti për një datë tjetër”, tha ajo.
Kurti të dielën qëndroi në Slloveni dhe ndau fotografi nga një event ku mori pjesë edhe Filharmonia e Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu kishte shkruar në rrjetin social Facebook se përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2025.
“Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor i cili ia kishte pamundësuar kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit 2021, kurse tash përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025. Qëllimi mbetet i njëjtë. Metoda ka ndryshuar. Kjo është ndërhyrje e sistemit të drejtësisë në proces zgjedhor”, kishte shkruar Kryeziu në rrjetin social Facebook.