Kurti nuk paraqitet as sot në Prokurorinë Speciale, shkon në Gjilan

Kurti nuk paraqitet as sot në Prokurorinë Speciale, shkon në Gjilan

Ndonëse u urdhërua të paraqitej për të dhënë dëshmi në Prokurorinë Speciale të Kosovës, kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk është paraqitur as sot aty, raporton KosovaPress.

Kjo ishte hera e tretë që Kurti pritej të dëshmonte lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

Në kohën kur Prokuroria e priste për të dhënë dëshminë, Kurti u ndodh në vënien e gurthemelit të një çerdheje të re në Gjilan, shkruan ​KosovaPress.

Prokuroria po kërkon tash e sa muaj dëshminë e shefit të ekzekutivit lidhur me një rast për rezervat shtetërore, por Kurti insiston që dëshminë ta jap në zyrën e tij në kryeministri, shkruan KosovaPress.


Çështja e intervistimit të Kurtit po diskutohet prej dhjetorit të vitit të kaluar, kur edhe u lëshua ftesa e parë e Prokurorisë Speciale. Deri më tash, Albin Kurti ka ngulmuar që dëshminë ta jap vetëm në Zyrën e Kryeministrit, raporton KosovaPress.

Gjykata Themelore në Prishtinë të premten më 28 shkurt, ka bërë të ditur se ka lëshuar urdhër që obligon kryeministrin e Kosovës në detyrë, Albin Kurti që të paraqitet më 4 mars në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të dhënë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit, në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

Në anën tjetër, në ekzekutiv përmes një letre drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, kanë kërkuar që ta obligojë Prokurorinë Speciale që të marrë dëshminë e Albin Kurtit brenda zyrës së tij në kryeministri.

Ftesa e parë e Prokurorisë Speciale në drejtim të Albin Kurtit kishte ardhur më 16 dhjetor të vitit të kaluar. Ai nuk u paraqit në Prokurori me arsyetimin se ishte në udhëtim zyrtar, shkruan KosovaPress.

Ndërkaq, ftesës së dytë, e cila ndodhi katër ditë më vonë pas asaj të 16 dhjetorit, përsëri nuk iu përgjigj. Albin Kurti ftoi prokurorët që të shkojnë dhe ta intervistojnë atë në Zyrën e Kryeministrit.

Lexo edhe

Video