Kurti: Rrezikun e një agresioni ushtarak e kemi jo larg kufijve tanë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Kosova nuk mund të harrojë Epopenë e UÇK-së dhe luftën çlirimtare, në mënyrë që të ardhmen ta ketë më të sigurt, shkruan KosovaPress.

Në akademinë përkujtimore për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kurti tha se s’mund të ketë pajtim me Serbinë derisa ajo, jo vetëm që nuk kërkon falje, mirëpo zotohet se do të përsërisë gjenocidin ndaj Kosovës porsa t’i vije rasti.

“Ndonjë herë na thuhet të mos shikojmë pas por vetëm përpara, drejt së ardhmes së përbashkët, si ajo shprehja ‘të shkuara, të harruara’, që e thonë ata që duhen të pajtohen. Mirëpo si mund të ketë pajtim pa pranim të fajit? Si mund të ketë falje nga ana e viktimës kur agresori jo vetëm që nuk kërkon falje por zotohet se do të përsërisë krimin në rastin më të parë që do t’i jepet“, tha Kurti.

“Serbia nuk është shëruar le ta quajmë kompleksit të Kosovës që e ka çuar atë t’i shkaktojë disa gjenocide, jo vetëm në tokën tonë por edhe vende të tjera të Ballkanit. Serbia është shteti më i armatosur në rajonin tonë, aleati më i ngushtë i Rusisë që Kosovën e quan sepse dëshiron pjesë të territorit të saj shtetëror. Mban baza të përparme ofensive të ushtrisë pranë kufirit me vendin tonë. Ajo ndërmerr sulme terroriste, sabotime, teksa strukturat paralele ilegale në Kosovë ia kemi mbyllur ose shporrur. Ne kemi detyrë të kujtojmë. Ne nuk mund të harrojmë luftën çlirimtare, as viktimat civile dhe posaçërisht Epopenë e UÇK-së pikërisht për të mos u kthyer në të kaluarën. Duke mos harruar të kaluarën, ne kemi të ardhmen e sigurt”, shtoi ai.

Ai shtoi se rënia heroike e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe flijimi i anëtarëve të familjes Jashari në mars të vitit 1998, mobilizoi shqiptarët në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


Ai tha se Adem Jashari dhe UÇK-ja janë të pashkëputura nga njeri-tjetri, raporton KosovaPress.

Megjithatë, Kurti tha se fatkeqësisht luftërat nuk i takojnë vetëm të kaluarës, pasi ato janë rikthyer në këtë shekull në kontinentin evropian.

Andaj, kreu qeveritar theksoi nevojën e fuqizimit të FSK-së pasi rreziku i një agresioni ushtarak është jo larg kufijve të vendit, shkruan KosovaPress.

E në emër të familjes Jashari, Marigona, vajza e kryekomandantit legjendar Adem Jashari, tha se Epopeja e marsit tregon sesi jeta flijohet për liri.

Ajo me fjalë emocionuese foli për kontributin e grave në luftën e Kosovës për çlirim, shkruan KosovaPress.

Lexo edhe

Video