Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ngushëlluar familjen e ish-presidentit Hashim Thaçi, pas vdekjes së babait të tij, Haxhi Thaçi.
“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe timin ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta juve, dashamirëve të familjes suaj dhe miqve të ish-presidentit Hashim Thaçi”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.
Në letër ngushëllim thuhet se Haxhi Thaçi “do të kujtohet gjithmonë për urtësinë e tij, respektin për të tjerët dhe dashurinë e madhe për vendin”.
Haxhi Thaçi i cili vdiq të dielën, ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, raporton KosovaPress.
Të enjten ai u vizitua nga Hashim Thaçi, të cilit leje për vizitë i tha Gjykata Speciale, e cila po gjykon për krime të pretenduara të luftës, transmeton KosovaPress.
Specialja u kritikua në Kosovë për mos realizim të kërkesave të Thaçit për të vizituar babain e vet të sëmurë, duke theksuar se vendime të tilla të gjykatës ishin të pabazuara dhe jo humane, shkruan KosovaPress.
Pas vizitës rreth tre orësh nën masa të rrepta të sigurisë, Thaçi u rikthye sërish në Hagë – qytetin holandez ku e ka selinë kjo gjykatë.
Hashim Thaçi po përballet me një proces të tejzgjatur gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës – të njohura si Gjykata Speciale.
Ai po qëndron në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 nën akuzat për krime të pretenduara të luftës, shkruan KosovaPress.
Gjykimi ndaj tij ka nisur në prill të vitit 2023.
Bashkë me Thaçin, po gjykohen edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Lexo edhe: https://kosovapress.com/neser-varroset-babai-i-hashim-thacit
https://kosovapress.com/a-do-ti-lejohet-thacit-te-marre-pjese-ne-varrimin-e-babait