“Nëse prokuroria e ka pasur të rëndësishme dëshminë time, duhet të vinte te ne. Kjo prokurori më shumë po e lufton qeverinë sesa krimin e korrupsionin”, tha kryeministri në detyrë, Albin Kurti të martën në Gjilan.
Ai, me urdhër të Gjykatës Themelore, duhej të paraqitej sot më 4 mars në Prokurorinë speciale të Kosovës për të dhënë dëshmi në një rast të rezervave shtetërore, por zgjodhi të marrë pjesë në një ngjarje të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, raporton KosovaPress.
Kurti në Gjilan, insistoi se ai asnjëherë s’ka thënë se refuzon të jep dëshmi, mirëpo tha se e njëjta duhet të ndodh në Zyrën e Kryeministrit.
“Unë asnjëherë s’kam thënë se nuk do të jap dëshmi apo refuzoj të jap dëshmi, përkundrazi kam thënë jo vetëm që jam i gatshëm por edhe interesuar që të dëshmojë. Në anën tjetër i kam shkruar letër ku kam treguar edhe oraret se kur mund të bëhet dëshmia. Unë i mirëpres Prokurorinë e Shtetit në Zyrën e Kryeministrit. Ka pasur raste edhe në të kaluarën kur prokurorët dhe hetuesit kanë ardhur për kryeministra dhe madje jo vetëm si dëshmitarë por edhe si të pandehur. Prandaj s’ka asnjë arsye që mos të vazhdohet“, tha ai.
Prokuroria po kërkon tash e sa muaj dëshminë e shefit të ekzekutivit lidhur me një rast për rezervat shtetërore, por Kurti insiston që dëshminë ta jap në zyrën e tij në kryeministri, shkruan KosovaPress.
Çështja e intervistimit të Kurtit po diskutohet prej dhjetorit të vitit të kaluar, kur edhe u lëshua ftesa e parë e Prokurorisë Speciale. Deri më tash, Albin Kurti ka ngulmuar që dëshminë ta jap vetëm në Zyrën e Kryeministrit, raporton KosovaPress.
https://kosovapress.com/a-do-te-paraqitet-kurti-neser-ne-prokurorine-speciale