Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubim në Vushtrri, prej ku kryetari i saj dhe kryeministri aktual, Albin Kurti, përmendi zotimin për 1 miliard euro buxhet për ushtrinë e Kosovës.
Ai në tubimin elektoral ku ka shpalosur programin qeverisës, tha se qeverisjet e kaluara nuk kanë blerë armatim për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ai tha se forcimi i FSK-së është besnikëri ndaj idealeve të dëshmorëve, invalidëve dhe dëshmorëve të UÇK-së.
“Mandatin e ardhshëm pas 9 shkurtit, bashkërisht një nga një që të gjitha do t’i realizojmë zotimet tona të reja përveçse do i vazhdojmë punët tona të mbara e të mira të këtij mandati”, deklaroi Kurti.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se me programin “gjenerata për gjeneratë” do të jenë 100 euro shtesë mbi pensionin ekzistues për të moshuarit që kujdesën për nipërit e mbesat.
“Për gjeneratën e pleqve tanë, gjyshërve dhe gjysheve që do të kujdesen për fëmijët prej 1-3 vjeç kur të dy prindërit ju punojnë atyre”, shtoi ai.
Në tubimin e mbajtur në Vushtrri, ndër tjera, Kurti tha se gratë të cilat punësohen në sektorin privat do të ndihmohen.
“Kudo që punësohen gratë nëpër ndërmarrjet private ne do të ja japim për gjashtë muaj shtesë nivelin e pagës minimale, që është 350 euro aktualisht, ka qenë 130-170 euro, e në mandatin e ardhshëm do ta bëjmë mbi 500 euro pagën minimale”, tha ai para simpatizantëve në Vushtrri.