Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubim elektoral në komunën e Podujevës, prej ku kryetari i kësaj partie dhe kryeministri aktual, Albin Kurti, ka bërë thirrje për mobilizim në ditët e fundit të fushatës.
Kurti, i cili është kandidat për kryeministër, tha se katër ditët e fundit të fushatës janë “jashtëzakonisht të rëndësishme”.
“Gjatë kësaj fushate fjala që e kam dëgjuar më së shpeshti nga të gjithë ka qenë ‘mos lësho pe’. Unë nuk lëshoj pe, kjo lista jonë me 110 kandidatë nuk do lëshojë pe, e një ditë le të mos lëshojmë pe, ajo ditë është me 9 shkurt”, tha ai.
Gjatë fjalimit të tij, Kurti përmendi zotimet e tij edhe për një mandat të cilin e synon.
“Ne nuk matemi me ata ish-qeveritarët, ne i thyejmë edhe rekordet tona”, deklaroi ai.
Spitale të reja e mbështetje për ushtrinë, ishin disa prej premtimeve që Kurti bëri gjatë tubimit në Podujevë.
“Këta para neve e kanë menduar shtetin si një tepsi që nuk është e askujt, e mundet me u bë e dikujt, por varet sa i shpejtë je. E kush është më i shpejtë? Ai që është më afër. Prandaj për ta pushteti ka qenë afërsi ndaj tepsisë që është e askujt e bëhet e dikujt. Me qeverisjen tonë, ne e kemi ndryshuar këtë mentalitet”, deklaroi Kurti.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë mbahen më 9 shkurt.