Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër dhe kryeministri i tanishëm, Albin Kurti deklaroi se më 9 shkurt ka referendum e jo zgjedhje. Ai premtoi 1 miliard euro për ushtrinë, rreth 1 miliard për prodhimtari e mbi 1 miliard në vit për investime kapitale.
Në tubimin elektoral në Gjakovë, Kurti tha para simpatizantëve se në këto zgjedhje janë vetëm dy opsione.
“Me 9 shkurt nuk ka zgjedhje, zgjedhjet janë më 2029. Më 9 shkurt ka referendum, e në referendum janë dy opsione. Është opsioni po edhe është opsioni jo. Duke i thënë qeverisë tonë po, po numrit 118, ju u thoni njëkohësisht jo numrave të tjerë dhe jo atyre që keq-qeverisin për më shumë se dy dekada”, u shpreh Kurti.
Kundërshtarët politik, sipas Kurtit, kanë qeverisur “për vete dhe nga lakmia”.
“Këto dy opsione më tej janë në njërën anë ndryshimi juaj i madh që e keni realizuar në Kosovë më 14 shkurt 2021 e që ishte revolucion elektoral meqë një subjekt, subjekti ynë i mori mbi 50 për qind të votave. Dhe ata që keqpërdorën për më shumë se dy dekada sepse qeverisën veçse për veti nga lakmia. Por, po ashtu në atë anë të tyre është edhe kapitali i oligarkëve, e sidomos njërit prej tyre me kompaninë e tyre që e regjistrojnë me ‘Gjakovica e Peç Serbia” dhe që e dëbojnë nga puna motrën e dëshmorit vetëm pse në familjen e tyre më kanë pritur mua për vizitë”, deklaroi ai.
Ndër tjera, Kurti në Gjakovë tha se duan pasurimin e shtetit e jo “zhvatje, plaçkitje dhe arbitrazhe të kurdisura”.
“Ne e duam vendin tonë Kosova Republikë e jo Kosova klan…Ata që kanë qenë të privilegjuar, ata që janë pasuruar përtej imagjinatës së tyre e sigurisht jashtë ligjit, atyre kur ne u kërkojmë të heqin dorë nga privilegjet dhe ta kthejnë pasurinë e plaçkitur mendojnë se po e pësojnë një padrejtësi”, deklaroi Kurti.
Ai përmendi edhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian, NATO, për çka tha se do të punojnë në këtë drejtim.
“Kosova nuk pranon më bastione partiake e politike. Kosova është e të gjithëve dhe për të gjithë”, tha Kurti
Ai në tubimin elektoral në Gjakovë tha se në mandatin e ardhshëm do përfundohen rrugët Prizren-Tetovë, autostrada Prishtinë-Gjilan, Dollc-Gjakovë, Kiev-Zahaq dhe Duhël-Shtime.