Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Në këtë takimi të parë zyrtar, ai e uroi për rolin e ri Sorensen dhe e njoftoi me zhvillimet e fundit në vend dhe për hapat drejt formimit të institucioneve në legjislaturën e 9-të.
Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, kryeministri kërkoi nga emisari Sorensen që BE-ja të heqë menjëherë masat e padrejta kufizuese ndaj Kosovës. Ai theksoi kontradiktën e pashëndetshme për BE-në, vlerat themelore të saj dhe për reformat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës me mbështetje të madhe të qytetarëve, që në të njëjtën periudhë kur vendi shënon ngritjen më të madhe demokratike, edhe sipas indekseve ndërkombëtare, të jetë njëkohësisht nën masa kufizuese të BE-së, raporton KosovaPress.
“Diskutuan për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE dhe për rrugën përpara. Kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit. Duke rikujtuar sulmin paramilitar në Banjskë në shtator të vitit 2023 dhe sulmin terrorist në Ibër-Lepenc në nëntor të vitit të kaluar, ai gjithashtu nënvizoi rrezikun që kryeterroristi Millan Radoiçiq, bashkë me grupin e tij, vazhdon të paraqes për sigurinë e vendit dhe normalizimin e marrëdhënieve në kuadër të procesit të dialogut për sa kohë që vazhdon të jetë i lirë në Serbi, përkundër pranimit të fajësisë para autoriteteve në Serbi dhe aktakuzës 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës. Andaj, përsëriti thirrjen, që Radoiçiq dhe grupi i tij t’i dorëzohet Kosovës për gjykim”, thuhet në komunikatë.
Ndëkrohë, edhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, priti në takim përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, në vizitën e parë zyrtare të emisarit të ri në Kosovë. Ai shoqërohej në këtë takim dhe nga Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.
Zëvendëskryeministri Bislimi e njohu në fillim të takimit emisarin Sørensen me progresin që ka shënuar vendi përgjatë viteve dhe mundësive për zhvillim që ofron Kosova, duke veçuar sektorin e teknologjisë së informacionit dhe moshën mesatare të re të popullsisë si aset të rëndësishëm.
Nga ana e tij, Sorensen e uroi zëvendëskryeministrin për procesin zgjedhor në zgjedhjet e fundit të 9 shkurtit, raporton KosovaPress.
“U bisedua mbi një sërë temash, me fokus në rrugën përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve në kuadër të procesit të dialogut. Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i Implementimit i Ohrit duhet të zbatohen në tërësi përmes një plani të sekuencimit të drejtë dhe të barabartë mes palëve. Ai vlerësoi edhe qëndrimin publik të Bashkimit Evropian se sjellja e Serbisë në Këshillin e Evropës është shkelje e marrëveshjes. Tutje, zëvendëskryeministri ngriti shqetësimin dhe e informoi emisarin Sorensen mbi përpjekjet e autoriteteve serbe për të ndaluar ndihmat financiare të qeverisë së Republikës së Kosovës për shqiptarët në Luginën e Preshevës”, thuhet në komunikatë.
Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi emisarin Sørensen për vizitën e bisedën e sotme, duke shprehur edhe vullnetin e tij për bashkëpunim të frytshëm.