“Për të siguruar paqe të qëndrueshme në Ballkan duhet të krijojmë një bazë të fortë të së vërtetës historike të dokumentuar me metodologji profesionale dhe të pranuar ndërkombëtarisht”. Kështu u tha në konferencën e parë shkencore për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, e cila synon të rrisë vetëdijen globale për pasojat e luftës në Kosovë dhe domosdoshmërinë për drejtësinë për viktima.
Kjo konferencë e cila u zhvillua po ashtu në kuadër të Ditës së pavarësisë së Kosovës, ka për qëllim të dokumentojë të gjitha krimet e ndodhura gjatë luftës në Kosovë.
Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishte edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili ka deklaruar se shteti i Kosovës mbetet i palëkundur për të zbardhur të vërtetën, për të ruajtur kujtesën kolektive, dhe për të garantuar që drejtësia do të vihet në vend.
“Krimet nuk mund të mbesin në heshtje e as të mbulohen me harresë. Andaj, po vazhdojmë të flasim, të shkruajmë dhe të dëshmojmë, derisa çdo krim të dokumentohet, e ndëshkohet, derisa çdo viktimë të ketë drejtësi. Shteti i Kosovës mbetet i palëkundur për të zbardhur të vërtetën, për të ruajtur kujtesën kolektive dhe për të garantuar që drejtësia do të vihet në vend”, tha Kurti.
Drejtori ekzekutiv në këtë institut, Atdhe Hetemi derisa ka treguar rëndësinë e dokumentimit dhe hulumtimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, e ka konsideruar këtë konferencë si një hap të rëndësishëm në këtë drejtim. Ai theksoi se hapja e ngjarjes më 17 shkurt, ditën e pavarësisë së Kosovës, nuk ishte rastësi, por një dëshirë për të rikujtuar se dokumentimi i krimeve të luftës jo vetëm që forcon legjitimitetin e shtetësisë së Kosovës, por gjithashtu dërgon një mesazh të qartë për domosdoshmërinë e njohjes dhe fuqizimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me Institutin për Krimet e Luftës. Ai theksoi se dokumentimi i krimeve të luftës dhe ruajtja e së vërtetës historike janë të domosdoshme për të siguruar një paqe të qëndrueshme në rajon.
Se kjo konferencë është një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të ruajtur kujtesën historike të Kosovës dhe për të garantuar drejtësi për viktimat e luftës e tha edhe doktor, Aidan Hehir nga Universiteti i Westminsterit. Ai ka shtuar se kjo shërben si një pikënisje për hulumtime të mëtejshme dhe do të ndihmojë në mbështetje të njohjes dhe forcimit të shtetësisë së Kosovës në nivel ndërkombëtar.
17 vite më parë, saktësisht në ora 15:39 në një seancë të Kuvendit të Kosovës u bë shpallja e pavarësisë së Kosovës.
Në seancën historike morën pjesë 109 deputetë, nga 120 sosh, të cilët e nënshkruan edhe Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Në këtë seancë nuk ishin të pranishëm deputetët serb. Shpallja e pavarësisë së Kosovës u bë nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.