Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për ndërhyrje në procesin zgjedhor në Kosovë, raporton KosovaPress.
“Në zgjedhjet e fundit, format e ndërhyrjes kanë ndryshuar për shkak të përmirësimit të gjendjes së sigurisë në katër komuna veriore, si rezultat i sundimit të rendit dhe ligjit, luftimit të suksesshëm të grupeve kriminale dhe terroriste, si dhe mbylljes së strukturave ilegale,” tha Kurti në një konferencë për media.
Kurti shtoi se, si zëvendësim, janë rritur format tjera të kërcënimeve hibride, kryesisht joshja dhe kushtëzimi financiar, shantazhi, frikësimet e kërcënimet, por edhe sulmet kibernetike.
“Vetë presidenti i Serbisë ka inkurajuar çdo serb që të përfshihet në zgjedhjet e Kosovës. Për këtë qëllim ka pasur kryeterroristin, Millan Radojqic, apo njeriun që ka marrë detyrat për Kosovën nga presidenti i Serbisë. Aparati shtetëror i Serbisë ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për t’i dëmtuar subjektet rivale serbe, veçanërisht Partinë për Liri, Drejtësi e Mbijetese të Nedad Rashiqit, ministrit të qeverisë sonë për Komunitete dhe Kthim, dhe Demokracia Serbe të Aleksandër Arseviqit, por po ashtu edhe votuesit e subjekteve të komuniteteve të tjera, kryesisht romë e ashkali”, tha Kurti.
Sipas tij, përfaqësues të caktuar nga pothuajse të gjitha subjektet politike serbe janë hequr nga gara, pas kërcënimeve që kanë marrë.