Kurti akuzon Serbinë për ndërhyrje në zgjedhje: Ndikimi brutal u zëvendësua me kërcënime e shantazhe

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor të 9 shkurtit.

Qeveria ka identifikuar shtatë instanca apo aktorë shtetërorë të Serbisë. I pari sipas Kurtit është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeterroristi Milan Radoiçiq, shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petroviq, Agjencia e Inteligjencës së Serbisë (BIA), mediat serbe të kontrolluara nga pushteti në Beograd, Lista Serbe dhe, së fundi, edhe struktura ilegale, përfshirë këtu Bankën Postare Kursimore, qendrat sociale, zyrat e pensioneve, Telekomin e Serbisë, si dhe ish-pjesëtarët e Policisë së Kosovës, raporton KosovaPress.

Ndikimi thuhet se është dalluar edhe te komunitetet e tjera jo-shumicë, përveç asaj serbe.

Kurti, në një konferencë për media të thirrur sot së bashku me ministrin në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, tha se kjo është realizuar në tre faza: para dhe pas fushatave zgjedhore dhe gjatë ditës së zgjedhjeve.

Sipas tij, përmirësimi i sigurisë dhe sundimi i ligjit në katër komunat veriore ka pamundësuar metodat e dikurshme të ndërhyrjes përmes dhunës fizike, por ka sjellë forma të reja të presionit politik dhe ekonomik.

Ai ka përmendur edhe emrat e personave të cilët, sipas tij, ishin të përfshirë.


Kurti theksoi se, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara ku ka pasur dhunë fizike, përfshirë rrahje dhe vrasje, Serbia këtë herë ka përdorur metoda më të sofistikuara të ndërhyrjes.

Sipas tij, janë identifikuar dhjetë teknika të ndryshme për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, duke përfshirë joshjen financiare, ku, sipas kryeministrit Kurti, Serbia ka ofruar mbështetje financiare prej 20,000 dinarësh (rreth 170 euro) për çdo qytetar të papunë të komunitetit serb.

Edhe ministri në detyrë Nenad Rashiq ka akuzuar qeverinë serbe për shfrytëzimin e serbëve të Kosovës për interesat e tyre personale.

Rashiq ka përmendur edhe protestat në Serbi, duke shtuar se ato janë një pasqyrim i revoltës jashtëzakonisht të madhe që ndjejnë qytetarët.

Ndryshe, kryeministri Kurti theksoi se Kosova nuk do të lejojë më që zgjedhjet të manipulohen nga Beogradi dhe se institucionet e vendit do të vazhdojnë të punojnë për të garantuar zgjedhje të lira dhe demokratike për të gjithë qytetarët.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim…

Lexo edhe

Video