Fshati i vogël Seborga, në rivierën italiane, prej kohësh ka pretenduar statusin e një principate të pavarur, i cili me historinë e tij, që daton që nga Mesjeta vazhdon të kërkojë identitetin e tij unik, pavarësisht se është pjesë e Italisë.
I vendosur në majë të një kodre në provincën italiane, Imperia, fshati piktoresk, që shtrihet në afër 14,2 kilometra katror, është i njohur për traditat e tij të pasura dhe aspiratën e tij të vazhdueshme për sovranitet, një ëndërr që e ka ndjekur që nga vitet 1960, raporton AA.
Sipas shifrave zyrtare, Seborga në vitin 2018 kishte një popullsi prej 297 banorësh, prej të cilëve 146 meshkuj dhe 151 femra.
Në vitin 2021, popullsia e fshatit shënoi rënie në 217 banorë, ndërsa sot numërohen 281 banorë.
Principata e Seborgas ka princin e saj të zgjedhur, flamurin dhe monedhën simbolike ”luixhino”, e cila vlerësohet në afërsisht 6,0 dollarë, transmeton KosovaPress.
Banorët e Seborgas i referohen me krenari monedhës së tyre si “më e forta në botë”, një reflektim i shpresës së tyre të vazhdueshme për njohje ndërkombëtare.
Një nga monumentet kryesore në Seborga është Kisha e Shën Martinit, një strukturë e stilit barok e ndërtuar në shekullin XVII. Kjo kishë mbetet një simbol qendror i rrënjëve të thella historike dhe kulturore të fshatit.
Megjithëse nuk është njohur si një komb i pavarur, përpjekja e Seborgas për sovranitet është në vazhdim, transmeton KosovaPress.
Fshati shpreson që një ditë të shohë njohjen ligjore të pretendimeve të tij, por tani për tani ai mbetet një fshat i qetë, piktoresk i vendosur në kodrat e rivierës italiane, duke ofruar pamje mahnitëse mbi peizazhin përreth, përfshirë Principatën e Monakos, aty pranë.