Krusha e Madhe simbol i dhimbjes dhe qëndresës

Krusha e Madhe nuk është vetëm simbol i dhimbjes por edhe i qëndresës. Sakrifica e të rënëve në Krushë është udhërrëfim se si të ecet përpara pa u ndalur.

Kështu u tha në tubimin përkujtimor me rastin e 26 vjetorit të masakrës në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se nuk do të harrohet kurrë sakrifica e Krushës.

Ajo rikujtoi këtë masakër ku mbetën të vrarë burra, gra e fëmijë e ku shumë prej tyre ende janë të zhdukur. Osmani tha se familjet e tyre jetojnë çdo ditë më mallin e një pritje që nuk merr fund asnjëherë, duke përmendur edhe veprimtarin Ukshin Hotin për të cilin tha se ende nuk dihet asgjë, raporton KosovaPress.

E para e vendit tha se nuk duhet të heshtin e as nuk duhet të lejojnë që drejtësia të vonohet pafundësisht për ata që dhanë jetën për lirinë.

Ajo theksoi se Krusha e Madhe nuk është vetëm simbol i dhimbjes por edhe i qëndresës.

Derisa kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti tha se forcat e Serbisë zhdukën me dhunë 64 krushianë dhe dogjën mbi 700 shtëpi  bashkë me institucionet fetare e kulturore. Ai shtoi se brenga më e madhe e Serbisë ka qenë djegia e kufomave dhe zhdukja e gjurmëve të krimit.


Kurti theksoi se rënia dhe sakrifica e tyre është udhërrëfimi se si të ecet përpara pa u ndalur. Ai potencoi se janë krahë për krahë e këmbëngulës drejt rrugës për drejtësi.

Në një fjalë rasti edhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi tha se lufta ishte domosdoshmëri dhe se krushianët bënë atë që duhej bërë duke sakrifikuar për lirinë e vendit.

Ai tha se masakra e Krushës së Madhe dhe të Vogël dhe vendeve të tjera është dëshmi e një veprimi të Serbisë kriminale.

Krimet e kryera në fshatrat e Kosovës meritojnë të kenë trajtim të duhur ligjor, derisa shtoi se hetimi dhe gjykimi i krimeve i shërben historisë, në mënyrë që të zbardhet e vërteta dhe fati i të zhdukurve.

Ndërsa nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së Qemajl Krasniqi tha se mobilizimi ishte gjëja e duhur që duhej bërë për ta ndryshuar statusin e popullit shqiptar në Ballkan.

Në datat 25, 26 dhe 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit, u masakruan 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u shkatërruan nga flakët.

Masakra e Krushës së Madhe është një nga ngjarjet më të dhimbshme dhe të tmerrshme të kryera mbi popullsinë shqiptare nga ushtria serbe.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim…

/KosovaPress/

Lexo edhe

Video