Krasniqi: Konferenca për standardet ESG moment kyç për zhvillimin e mundësive të reja për kompanitë

Mbi 150 pjesëmarrës nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova po marrin pjesë në konferencën e organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë në kuadër të Projektit të Platformës Promovuese ESG.

Projekt ky i financuar nga Komisioni Evropian përmes Fondit të Ballkanit Perëndimor synon të avancojë parimet mjedisore, sociale dhe të qeverisjes (ESG) në të gjithë komunitetin e biznesit të Ballkanit Perëndimor, raporton KosovaPress.

Kryetari i bordit së Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Skender Krasniqi tha se kjo konferencë shënon një moment kyç për zhvillimin e mundësive të reja për kompanitë në përgjithësi.

Kransiqi tha se standardet ESG janë një domosdoshmëri për të ecur përpara dhe për të qëndruar konkurrues në tregun global.

Derisa shprehu mirënjohje për mbështetjen e Fondit të Ballkanit Perëndimor, Krasniqi potencoi se përmbyllja me sukses e këtij projekti të rëndësishëm me shtetet e tjera, është dëshmi e ndikimit të jashtëzakonshëm kur forcat bëhen bashkë.

“Konferenca rajonale për standardet ESG që po mbahet sot në Prishtinë shënon një moment kyç për zhvillimin e mundësive të reja për kompanitë tona në përgjithësi. Në një botë ku sfidat globale si ndryshimet klimatike, pabarazia sociale dhe transparenca e qeverisjes, janë më të rëndësishme se kurrë, standardet ESG nuk janë më një zgjidhje. Ato janë një domosdoshmëri për të ecur përpara dhe për të qëndruar konkurrues në tregun global. Ne si dhomë e Tregtisë dhe Industrisë Kosovës jemi krenarë që së bashku me partnerët nga rajoni, po përmbyllim me sukses këtë projekt të rëndësishëm për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ky bashkëpunim është dëshmi e fuqisë së veprimit të përbashkët dhe ndikimit të jashtëzakonshëm që mund të arrijmë kur t’i bashkojmë forcat…Bizneset mbeten shtylla kryesore e këtij rrugëtimi dhe falë këtij bashkëpunimi kemi arritur t’i zhvillojmë kapacitete e bizneseve tona duke na ndihmuar të marrim hapa të sigurt drejt një tregu më të gjerë dhe më konkurrues…”, tha Krasniqi.


Ndërkaq, menaxherja për Fondin e Ballkanit Perëndimor, Dafina Beqiri theksoi se skema e këtyre granteve po shënon sukses në vazhdimësi.

Sipas saj, organizimi i kësaj konferencë nga DHTIK, jo vetëm që ka krijuar partneritet me vende të rajonit, por u ka ofruar edhe organizatave të tjera mundësi për zhvillim të biznesit dhe krijimin e vendeve të punës.

“Kjo skemë e granteve ka shënuar një sukses të mëtutjeshëm. Sepse fondi përkrah projekte që janë në partneritet me organizata tjera që vijnë nga rajoni. Këtë herë Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë nuk ka krijuar partneritet vetëm me më shumë partnerë nga rajoni, por ka afruar edhe organizata të reja të cilave iu ka ofruar mundësi më shumë se si të zhvillohet biznesi dhe standardet për një biznes i cili ofron më shumë vend të punës. Për neve është shumë kënaqësi e madhe që të bashkëpunojmë me DHTIK-un por njëkohësisht të vazhdojmë  edhe me përkrahjen e projekteve që jo vetëm në Kosovë por gjithë rajonin. Që sa herë që mblidhemi bashkë, që sa më shumë të kemi tema të përbashkëta që e qojnë rajonin përpara dhe na afrojnë më Bashkimin evropian”, theksoi Beqiri.

Duke qenë se kjo konferencë kishte për qëllim edhe mundësinë e rrjetëzimit të pjesëmarrësve, partnerë nga rajoni dhe biznese ndanë përvojat e tyre të angazhimit në arritjen e standardeve ESG.

Në kuadër të organizimit, kryetari i Kuvendit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Hamdi Malushaj ndau mirënjohje për partnerët e pranishëm në këtë konferencë.

Në këtë konferencë do të ketë panele të ndryshme ku do të diskutohet për rëndësinë e plotësimit të kushteve ESG.

Kjo konferencë ka mbledhur institucione vendëse, rajonale, ndërkombëtare, biznese, shoqata, shoqëri civile.

Lexo edhe

Video